Menaxhim

Propozimi i PS-së: Investitorët Strategjikë të marrin pa garë, portet turistike në vend!

Nga Gazeta ‘SI’ – Investitorët strategjikë në republikën e Shqipërisë, do të përfitojnë një tjetër benefit, për shkak të statusit të tyre.

Depozituar në Kuvend nga grupi i Partisë Socialiste, një draft i ri propozon që subjektet strategjike të përjashtohen nga procedurat normale konkurruese dhe koncesionare.

Sipas ndryshimeve të propozuara kur një port turistik është pjesë përbërëse e një investimi strategjik të miratuar nga Komiteti i Investimeve Strategjike (KIS), ndërtimi dhe operimi i tij do të kryhet drejtpërdrejt nga subjekti investues. Ky ndryshim eliminon detyrimin e mëparshëm që parashikonte realizimin e porteve turistike vetëm përmes garave të hapura koncesionare.

Drafti argumenton se kalimi i procedurave do të shmangë vonesat që zakonisht krijohen nga ligji i porteve dhe investimeve strategjike dhe garanton “unitet” të këtyre investimeve.

“Efektet e pritshme nga miratimi i projektligjit lidhen me përshpejtimin e realizimit të projekteve strategjike turistike, rritjen e investimeve në sektor, krijimin e vendeve të reja të punës, zhvillimin e qëndrueshëm rajonal dhe përmirësimin e konkurrueshmërisë së turizmit shqiptar. Ky rregullim garanton unitetin e projektit investues dhe mundëson zbatimin e plotë të procedurave të posaçme të parashikuara nga ligji për investimet strategjike”, thuhet në draftligj.

Sa i përket anës financiare, nisma pretendon se nuk do të ketë efekte shtesë në Buxhetin e Shtetit, pasi zbatimi do të kryhet nga strukturat ekzistuese si Ministria e Turizmit, KIS dhe Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA). Përkundrazi, pritet që ky lehtësim të rrisë bazën tatimore dhe të nxisë zhvillimin e turizmit elitar në Shqipëri.

Sipas ligjit, 2026-a është afati i fundit i investimeve strategjike, por efekti i ligjit mund të zgjatet sërish, si vitet e shkuara. Skema e strategjikëve në Shqipëri ka qenë prej vitesh objekt kritikash për mungesë transparence dhe trajtim preferencial. Organizata të shoqërisë civile dhe ekspertë të ekonomisë kanë ngritur shqetësime se statusi strategjik është përdorur në disa raste për të shmangur garën, për të përfituar toka publike apo lehtësi fiskale dhe për të legalizuar projekte të diskutueshme, përfshirë edhe në zonat bregdetare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë