Menaxhim

Propozimi i PS/ Investime strategjike në të gjithë sektorët. Miratohet shtyrja e afatit deri në 2026-n 

Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese miratoi sot ndryshimet në ligjin për “Për investimet”, propozuar nga deputetja e PS-së, Pranvera Resulaj.

Deputetja Resulaj bëri të ditur se ndryshimet e propozuara ndër të tjera parashikojnë zgjatjen e afatit të paraqitjes së kërkesave nga subjektet investuese të interesuara për përfshirjen në procedurat për përfitimin e statusit “investim/ investitor strategjik, procedure e asistuar/e veçantë” deri më 31 dhjetor 2026

Objektivat që synohet të arrihen nëpërmjet këtij projektligji, theksoi Resulaj, janë tërheqja dhe mbështetja e investimeve strategjike, mbështetje për investitorët vendas dhe të huaj si dhe lehtësimin e ndjekjes së procedurave për investimet strategjike.

Po ashtu, synohet promovimi i investimeve të synuara dhe realizuara në kuadër të legjislacionit të investimeve strategjike, mundësi aplikimi në të gjithë sektorët e ekonomisë vendase pa kufizime sektoriale, si dhe vlerësim objektiv referuar vlerës së investimit për tu kualifikuar si investitor strategjik.

Deputeti i PD-së, Helidon Bushati deklaroi se ndryshimet e sjella në ligj po bëhen për të favorizuar industrinë e ndërtimit për banim.

“Çdo kullë e ngritur në kryeqytet kap vlerën e investimit mbi 50 milionë euro. Ndërtimi është i vetmi sektor që nuk ishte përfshirë në procedurë të asistuar. Pse duhet shteti ti japë ndihmë një personi që do të bëjë një kullë për ta shitur 8-fishin e kostos që ndërton. Nuk prodhon asgjë”, deklaroi Bushati.

Bushati, po ashtu theksoi se kjo qeveri ende nuk ka arritur të thithë investime të huaja në të njëjtin nivel me qeverinë demokratike në 2012-n. “Ende nuk keni arritur të kapni nivelin e 2012-ës” tha ai.

Por drejtuesja e AIDA-s Laura Saro theksoi se ndërtimi për banesa nuk përfiton nga lehtësitë që ofron ky ligj.

Ajo vlerësoi se pavarësisht se numërohen në të gjithë vendin 8 investime strategjike, në vlerë absolute zënë 70 % e vlerës së investimeve të huaja në vend.

Saro informoi se vitin që vjen do të akomodohet kërkesa e Lidl, një investim prej 120 milionë eurosh dhe që do të punësojë 2800 persona.

Ndjekja e proceseve të investimeve tashmë gëzon një eksperience 8 vjeçare dhe në këto vite është krijuar një rrjet komunikimi mes institucioneve në nivel teknik dhe nivel vendimmarrës.

Nga viti 2016 e deri tani janë trajtuar 108 projekte investimi, prej të cilave 48 kanë përfituar status strategjik 30 projekte janë refuzuar 31 projekte janë në fazë vlerësimi./ATA


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë