Menaxhim

‘Pronë në konflikt’, qeveria shpall investitorë strategjikë në kalanë e Lëkursit

Nga Gazeta ‘SI’ – Qeveria ka nxjerrë “në shitje” pasuritë e paluajtshme të Shqipërisë, ku pas “faljes” së ishullit të Sazanit, radha shkoi më në jug, Kalaja e Lëkursit në Sarandë. Në muajin nëntor 2024 është marrë vendimi i Komitetit të Investimeve Strategjike, i kryesuar nga kryeministri Edi Rama.

Sipas vendimit, u miratua projekti “LËKURSI”, me subjekte aplikuese TDT & PARTNERS dhe TECHNO-ALB.

“Në fillim të aplikimit, subjekti dorëzoi pranë AIDA-s dokumentacionin e projektit, i cili përfshinte realizimin e një kompleksi të madh turistik, i cili shtrihej ZK 8642, në një gjurmë me sipërfaqe prej 67,9 ha në zonën e Lëkursit, Bashkia Sarandë. Projekti parashikonte realizimin e zonave të hotelerisë, zonave rezidenciale dhe shërbimeve të ndryshme. Subjektet kanë ndarë projektin me faza dhe për fazën e parë projekti është pajisur me Leje Zhvillimi nga KKT për resort multifunksional, banim hotel dhe shërbime” thuhet në këtë dokument. Sipas saj, në muajin tetor 2024 është marrë leja e ndërtimit për këtë resort.

Po, përse e donin këto firma statusin e investitorit? Natyrisht, kategorizimi si “investitor strategjik” i ruan nga konfliktet gjyqësore me pronarët e mundshëm të trojeve. Ose për marrjen falas të mijërave metrave katrorë të tjera, pronë shtet. Zona në fjalë është ndarë nga Bashkia e Sarandës vite më parë, por pakkush e ka regjistruar në Kadastër. Tashmë, të gjithë zonat “e lira” do t’i kalojnë këtyre firmave private. Një skemë e pastër e zhvatjes së pronave.

Në dokumentin e KIS thuhet se faza e parë e projektit parashikon ndërtimin dy hoteleve me 5 yje, një zone rezidenciale dhe një zone komerciale me sipërfaqe totale prej 15, 1 ha. “Projekti në pjesën më të madhe të tij përfshin komponentë që i përkasin sektorit së turizmit, si hotel, vilat në funksion të hotelit, ambiente shërbimi, bare e restorante, si dhe shërbime të tjera relaksi e rekreacioni” thuhet në dokument.

Sipas saj, vlera e investimit për projektin e plotë të propozuar parashikohet të jetë 447 milionë euro dhe numri i të punësuarve parashikohet të jetë 150 punonjës. Tashmë e gjithë zona që s’ka ndërtime në Sarandë do të shndërrohet në një resort gjigand. Është zona poshtë Kalasë së Lëkursit, e cila është një zonë e mbrojtur dhe arkeologjike. Por, me këtë vendim “groposen” të gjitha mbetjet arkeologjike. Sipas QKB-së, kompania TDT & Partners zotërohet nga dy vëllezërit Dajlan Avdia dhe Glendi Abdi, të cilët kanë marrë edhe leje në Tiranë dhe vende të ndryshme. Në atë zonë ka pasur tokë edhe z. Vangjel Tavo, kryetari aktual i Bashkisë së Himarës./Vox.al


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë