Në të gjitha raportet e institucioneve ndërkombëtare, qofshin ato ekonomike, qofshin politike, çështja e pronave citohet si një prej gangrenave më të mëdha të realitetit të shoqërisë postkomuniste shqiptare. Madje Fondi Monetar Ndërkombëtar e ka cilësuar këtë çështje si rrezikun më të madh për qëndrueshmërinë financiare të vendit.
Mishmashi me pronat prodhoi përplasje, që në rastin më të mirë janë zgjidhur nga drejtësia shqiptare dhe në rastin më të keq kanë prodhuar viktima. Por, ka edhe nga ata që kanë gjetur një rrugë tjetër. Një pjesë e mirë e dosjeve që nuk gjenin zgjidhje tek drejtësia shqiptare nisi të grumbullohej me shpejtësi në sirtarët e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.
Sot, shqiptarët kryesojnë listën e dosjeve me objekt pronësinë, që janë shqyrtuar, janë në shqyrtim dhe të marra për shqyrtim nga ky institucion ndërkombëtar dhe sa më shumë kalon koha, aq më shumë rriten milionat e eurove ndëshkuese ndaj qeverisë shqiptare, shuma që duhet t’ua paguajë qytetarëve shqiptarë, por po nga taksat e shqiptarëve.
“Janë mbi 400 dosje në total. Për 89 çështje vlera është diku tek 424 milionë euro. Qeveria shqiptare thotë se vlera për 89 çështjet, përjashto faktin që janë 12 aplikantë që janë borxhlinj tek shteti shqiptar, për ata që nuk janë borxhlinj, vlera është vetëm 32 mln euro”, thotë në një intervistë telefonike për Gazetën Si, Myshit Vorbsi, kreu i Shoqatës “Pronësi me Drejtësi”.
Në 2012, Edi Rama, në një tryezë të organizuar për çështjen e pronave me pronarët e sheh këtë temë si një kërcënim real për zhvillimin e vendit. Ai premton zgjidhjen dhe dhënien fund të asaj që e quante “tallje të qeverisë dhe politikës” me pronarët.
“Duhen rregulluar padrejtësitë e bëra ndaj pronarëve, që për ne socialistët do të thotë një Shqipëri më e drejtë për të gjithë”, deklaronte ai në atë kohë në opozitë.
Në 2013, Shqipëria kishte një marrëdhënie ende të ndërlikuar me Strasburgun dhe duke u nisur nga kjo, Edi Rama ripremtonte në fushatën për zgjedhjet parlamentare të atij viti një zgjidhje përfundimtare për çështjen e pronave. Zgjidhja, sipas tij, ishte hartimi i një ligji të ri, që do të kënaqte pronarët dhe do të eleminonte dyndjen e tyre me ankesa drejt Strasburgut.
Rezultati i atyre zgjedhjeve dihet dhe Edi Rama erdhi në pushtet. Por, në programin e mazhorancës së re ligji i ri për pronat nuk bënte pjesë tek çështjet urgjente. Urgjente në atë periudhë, sipas Kryeministrit, “ishte vendosja e kontrollit mbi territorin, ndalimi i ndërtimeve dhe verifikimi i ligjshmërisë së atyre që ishin ndërtuar”.
Me këtë parim, në tetor të 2013, Qeveria e re miraton një VKM, për unifikimin e kompetencave të Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar. VKM-ja i paraprinte nisjes së një aksioni për prishjen e ndërtimeve në mbarë vendin. Por çfarë parashikonte VKM-ja? Në pikën 4 dhe pikën 5 të saj parashikohej prishja jo vetëm e ndërtimeve pa leje, por edhe të ndërtimeve me leje, që vlerësoheshin si ndërtime të kundërligjshme. Çudia ishte se vlerësimin se cilat ndërtime ishin “edhe me leje, edhe në kundërshtim me ligjin” do ta bënin inspektorët e INUK-ut dhe jo ndonjë gjykatë e vendit.
Partia Demokratike e cilësoi arbitrar, antiligjor dhe antikushtetues këtë vendim dhe e ankimoi atë në Gjykatën Kushtetuese duke thënë se përmes kësaj VKM-je, Qeveria merrte kompetencat e një gjykate.
Ankimimi u pranua nga Kushtetuesja, por ajo vendosi të mos e pezullojë atë, duke i lënë dorë të lirë Qeverisë që të vazhdonte aksionin e prishjes së ndërtimeve pa leje e “me leje të kundërligjshme”. Pikërisht gjatë kësaj periudhe u shemb me tritol në Vlorë edhe pallati i Xhaferr Isufit, i afërm i Lulzim Bashës.
Në mars të 2014, Gjykata Kushtetuese merr vendimin dhe e shfuqizon VKM-në e Qeverisë për shembjen e ndërtimeve me leje, por nga tetori i 2013 deri në mars të 2014 ishin me qindra ndërtesa me leje të rrafshuara nga INUK. Pas kësaj periudhe pati një fluks të një pjese të pronarëve të këtyre godinave drejt Strasburgut. Rasti më i bujshëm i shqyrtuar nga gjykata ishte ai i Xhaferr Isufit. Strasburgu, pasi shqyrtoi rastin në fjalë, vendosi të ndëshkojë me plot 16.8 milionë euro qeverinë shqiptare.
Aktualisht, për 89 çështjet që ka shqyrtuar dhe është në prag vendimi, Gjykata e Strasburgut pret komentet nga Qeveria shqiptare. Afati i fundit për dorëzimin e këtyre komenteve është data 17 shtator.
“Data 17 nuk ka të bëjë me faturën. Është një datë brenda së cilës qeveria shqiptare duhet të dërgojë komentet përfundimtare në Strasburg sa i takon 89 çështjeve kundër Shqipërisë, që pritet shpallja e vendimeve. Janë njoftuar të gjithë avokatët e 89 çështjeve, ku janë informuar që presin komentet e qeverisë shqiptare”, sqaron Vorbsi.
Po në 2014, qeveria shqiptare i kërkon Gjykatës së Strasburgut pezullimin e përkohshëm të pranimit të padive të reja të shqiptarëve. Gjatë kësaj përpjekjeje për të bindur këtë gjykatë ka ndodhur edhe audiopërgjimi i bisedës mes Denar Bibës dhe gjyqtarit shqiptar në Strasburg, Ledi Bianku.
Strasburgu e refuzoi këtë kërkesë, por në Tiranë, Edi Rama deklaronte se “kishte një marrëveshje tjetër me Gjykatën”, atë për shtyrjen me një vit të kthimit dhe kompensimit të pronave për pronarët që kishin fituar gjyqin ndaj shtetit shqiptar deri në atë moment.
Por, ligji i ri për pronat nuk do të miratohej brenda këtij afati. Ligji u miratua në fund të 2015, i kundërshtuar fort nga Presidenti i Republikës në atë kohë, Bujar Nishani dhe shoqatat e pronarëve, që e ankimuan atë në Gjykatën Kushtetuese. Në shënjestër të tyre ishte neni 6, ku përcaktohej metodologjia e vlerësimit të pronave. Ky nen duket se nuk merret për bazë as në shqyrtimet e çështjeve nga Gjykata e Strasburgut.
“Gjykata e Strasburgut merr si referencë çmimin e vendosur nga qeveria në vitin 2008 dhe ka argumentuar se çmimi i 2015 nuk është bindës për ne”, thotë Vorbsi.
Vorbsi thotë se një vendim përfundimtar i Strasburgut për këto 89 çështje, që dënon shtetin shqiptar dhe vlerëson dëmshpërblimin sipas çmimeve të referencës të vendosura në 2008, u jep të drejtën shoqatave të pronarëve që t’i adresohen sërish Gjykatës Kushtetuese që të kërkojnë rrëzimin e nenit 6 të ligjit të pronave.
“Nëse rrëzohet neni 6, rrëzohet i gjithë ligji, pasi ky nen është edhe thelbi i këtij ligji”, deklaron Vorpsi.
Sipas pikës 1 të këtij neni, prona e njohur për kompensim vlerësohet në bazë të zërit kadastral tokë bujqësore fqinje. Kjo do të thotë se dëmshpërblimi për pronarët e shpronësuar bëhet me njëvlerë me të vogël dhe jo me vlerën që ka marrë pas ndërtimeve dhe investimeve mbi të. Gjykata Kushtetuese shfuqizoi disa nene, por këtë nen nuk e ceku.
Në 2016, Kryeministri Edi Rama bënte një deklaratë “lehtësuese” për buxhetin e shtetit, por jo krejtësisht të vërtetë.
“Vonesa e shkaktuar me hyrjen në fuqi të ligjit të pronave i dha Shqipërisë dhe një faturë shtesë financiare, por tashmë ligji është efektiv dhe gjykata nuk do të shqyrtojë më asnjë çështje të re. Nuk është zgjidhja ideale, por është më e mira që mund të bënim”, deklaronte Rama, gjatë një debati me kreun e Partisë Republikane, Fatmir Mediu.
Në atë kohë, e thënë edhe nga salla e Kuvendit, deklarata e Ramës u mor e mirëqënë, por në Strasburg ishte marrë një tjetër vendim, që u zbulua rastësisht tani nga reagimi zyrtar i Gjykatës për çështjen e audiopërgjimit të Denar Bibës me gjyqtarin Ledi Bianku. Mes rreshtave të reagimit të Gjykatës thuhet edhe se në 2016, ajo që është vendosur ka qenë thjesht një shtyrje e shqyrtimit të çështjeve që lidheshin me pronësinë dhe asgjë më shumë.
Deri në 2016, numri i çështjeve që kishte shqyrtuar Strasburgu për Shqipërinë ishte 33.
“Gjykata e Strasburgut, nga 2007 deri në 2016 ka marrë 33 vendime, me të cilat e ka dënuar shtetin shqiptar në total rreth 33 mln euro. Qeveria i ka paguar paratë e këtyre vendimeve, sepse për çdo vendim të Strasburgut pagesa duhet të bëhet brenda 3 muajve, në të kundërt nisin kamatë-vonesat, sipas normës së Bankës Qendrore Europiane. Të gjitha këto janë paguar në kohë dhe në disa raste edhe me kamatë-vonesën”, na thotë kreu i Shoqatës Pronësi me Drejtësi, Myshit Vorbsi.
Një tjetër nismë e kontestuar e Qeverisë ishte edhe pezullimi i përkohshëm i ligjit 7501 në zonat bregdetare, vendim i marrë këtë vit. Kryeministri e argumentoi me nevojën urgjente për të ndërhyrë dhe ndalur “kasaphanën” me pronat në këto zona, por nga opozita dhe disa media është akuzuar se pas këtij vendimi qëndron përpjekja e Qeverisë për t’u dhënë këto prona një grushti njerëzish të pasur.
Sot makineria e Strasburgut vazhdon të ndëshkojë xhepat e qytetarëve shqiptarë për fajet dhe gabimet e politikanëve dhe qeverive, përfshirë edhe qeverisë aktuale, të cilës madje i ka rrëzuar plot 3 herë listën me kandidatët për të zëvendësuar gjyqtarin e kësaj gjykate Ledi Bianku.
Përpjekja e katërt pritet të shqyrtohet së shpejti. Një e përbashkët e listave është prania në to e Sokol Berberit, kunat i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. E përbashkët tjetër është që askush prej kandidatëve të dorëzuar e refuzuar deri më tani, nuk e ka kaluar procesin e vettingut.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.