Policia dhe inspektorët arritën të hapin me forcë portën kryesore të kopshtit zoologjik privat në Fier për të transportuar kafshët.
Inspektori Anduel Xhaliaj deklaroi se 13 kafshët do të transportohen në kopshtin zoologjik të Tiranës. Tre luanët do të transferohen më pas në Holandë dhe prej andej në Afrikë.
Disa çaste më parë, pronarët e “Safari Park” nuk lejuan zhvendosjen e kafshëve dhe i mbyllën dyert inspektoreve që janë marrë me këtë çështje.
Xhaliaj tha se kafshët nuk ishin mirëmbajtur dhe duhet të transferoheshin menjëherë sot, ndërkohë që avokati i pronarëve deklaroi se i gjithë aktiviteti në “Safari Park” ishte i licencuar. “Kafshët nuk janë mirëmbajtur kështu që duhet të transferohen ,” thotë Xhaliaj.
Një ditë pas inspektimit, të urdhëruar nga ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, Inspektorati i Policisë Pyjore në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura kontrolluan lokalin “Safari Park”, në Fier, ku pas verifikimit të dokumentacionit u vendos masa e pezullimit të aktivitetit dhe largimi i menjëhershëm i kafshëve, në Kopshtin Zoologjik të Tiranës ku ka nisur puna për ngritjen e infrastrukturës së nevojshme për vendosjen e 13 kafshëve të “Safari Park”.
“Safari Park” u pagëzua nga mediat britanike si “Parku i Ferrit” ku binte në sy një luan me syrin e plagosur dhe në gjendje shëndetësore të dobët, si dhe kafshët e tjera që mbaheshin në kushte robërie brenda kafazeve pa ushqim dhe kujdes shëndetësor.
Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura me mbështetjen e fondacionit austriak “4Putrat” deklarojnë se mjediset e reja janë parashikuar të ndërtohen në përputhje me standardet ndërkombëtare, hapësira specifike sipas llojit të kafshës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.