Lajme

Prokurorja Sevdari: Investigoni vendimin që më shkarkoi

Prokurorja e Tiranës, Antoneta Sevdari, e cila u shkarkua nga detyra me një vendim të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, u ka dërguar një letër të hapur ndërkombëtarëve dhe gjithë aktorëve politikë në vend, nga presidenti, kryeministri, kryeprokurorja e ministrja e Drejtësisë. Ajo e cilëson këtë vendim si të padrejtë, ndaj kërkon që të investigohet.
Prokurorja thotë se e ka bërë detyrën e saj, duke u shërbyer qytetarëve, por ngre dyshimet e saj përse mund të jetë marrë vendimi i shkarkimit.
Ajo shprehet se mund të jetë mungesë profesionalizmi e trupës gjykuese të Kolegjit të Apelimit, por nuk përjashton mundësinë e një shkarkimi të urdhëruar.
“Gjatë këtyre ditëve jam përpjekur të kuptoj një vendim të pakuptueshëm. Në analizën time të fakteve dhe ngjarjeve kam arritur në konkluzionin se shkarkimi im, u bë për një nga këto dy arsye:
Ose si rezultat i profesionalizmit të dobët në gjykim nga anëtarët e trupës së Kolegjit të Apelimit, që votuan për shkarkimin; Ose (dhe ky rast është edhe më flagrant, sa i përket të ardhmes së drejtësisë shqiptare) ai ishte një shkarkim i urdhëruar, në shërbim të interesave, me të cilat unë në punën time si prokurore jam përballur”, shkruan prokurorja Sevdari.
Ndër të tjera ajo thotë se do t’i vinte keq që Vettingu që sipas saj i ka besuar në fillim, mund të jetë kthyer në një vegël në shërbim të kriminelëve që prokurorë e gjyqtarë i kanë çuar para drejtësisë.
Prokurorja e Tiranës, Antoneta Sevdari u shkarkua nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit më 28 shkurt. Vendimi u mor pas përballjes së saj me Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ndërsa Komisioneri Publik kërkoi rihapjen e hetimit për të.
Prokurorja Sevdari kaloi pa probleme në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, por Komisioneri Publik ankimoi vendimin e KPK-së, për hetim jo të plotë.
Prokurorja Sevdari ishte edhe anëtare e KLP, institucion, i cili tani ka mbetur me 10 anëtarë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë