Nga Gazeta Si- Prokuroria e Durrësit ka sekuestruar kontejnerët e dyshuara me mbetje toksike menjëherë sapo janë rikthyer në Portin e Durrësit mëngjesin e sotëm.
Në vendimin për sekuestrim të Prokurorisë theksohet se bëhet fjalë për 102 kontejnerë, të cilët tashmë janë urdhëruar të depozitohen në një vend të sigurt dhe të monitorohen 24 orë me kamera.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, ka regjistruar procedimin penal dhe në funksion të këtij procedimi, në vendim shkruhet se shihet e nevojshme që të sekuestrohen 102 kontenierët në cilësinë e provës materiale, të cilët janë duke transportuar në Shqipëri me anijen MOLIVA XA443A, me qëllim kryerjen e ekspertimeve përkatëse.
Në vendimin e Prokurorisë shkruhet se sipas informacioneve të Drejtorisë së Hetimit Doganor janë kontenierët të cilët janë transportuar sipas deklaratës doganore R27224 datë 04.07.2024 me eksportues Sokolaj sh.p.k. dhe marrës GS Minerals Doo.
Për kryerjen e këtij veprimi ngarkohen Drejtoria e Përgjithshme Detare, Kapiteneria Durrës, Autoriteti Portual Durrës, Dega e Doganës Durrës, Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit dhe oficerë të policisë gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe Drejtorisë së Hetimit Doganor.
Prokuroria kërkon që gjatë ekzekutimit të vendimit të përshkruhen në mënyrë të detajuar karakteristikat dhe numrat e kontenierëve si dhe të dhënat mbi kodin e sigurisë dhe gjendjen e plumceve të secilit kontenier, pa proceduar me hapjen e kontenierëve.
“Të mbahet proceverbali i sekuestrimit të sendeve,I cili të nënshkruhet nga të gjithë pjesmarrësit në këtë veprim. Të merren masa që sendet e sekuestruara të depozitohen në një vend të sigurt si përsa i përket sigurisë mjedisore dhe asaj fizike, nëpërmjet monitorimit të kamerave 24 orë. Sendet e sekuestrua të mbahen në gjendjen që janë pa u proceduar me hapjen e tyre”, thuhet në vendim.

Anija e ngarkuar me tonelata mbetjesh që dyshohet se përmbajnë lëndë të rrezikshme mbërriti në portin e Durrësit sot rreth orës 08:00, pas 3 muajve në det.
Ngarkesa ishte nisur nga Shqipëria në korrik të këtij viti me destinacion Tajlandën e cila e refuzoi atë.
“Të merren masa që sendet e sekuestruara të depozitohen në një vend të sigurt si për sa i përket sigurisë mjedisore dhe asaj fizike nëpërmjet monitorimit të kamerave 24 orë. Sendet e sekuestruara të mbahen në gjendjen që janë pa u proceduar me hapjen e tyre.
Praktika e mbajtur për ekzekutimin të dërgohet menjëherë në Prokurorinë pranë Gjykatës së shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm Durrës”, thuhet në vendimin e Prokurorisë.
Në urdhrin e ekzekutimit, dy prokuroret Suela Beluli dhe Mediana Meta kanë listuar me numrat përkatës 102 kontejnerët që dyshohet se mbajnë mbetje të rrezikshme”, njofton prokuroria.
Anija që i transporton ato është ankoruar mëngjesin e sotëm në radën e portit të Durrësit. Anija “Molive” është ankoruar rreth 1.5 milje larg portit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




