Rend dhe Ligj

Prokuroria kërkon sekuestrimin e pronave të Balilit, edhe hotelin Santa Quaranta

Prokuroria për Krime të Rënda kërkon konfiskim të pasurive të Klemend Balilit, të të ashtuquajturit “Eskobari i Ballkanit”.

Përmes një njoftimi zyrtar, organi i akuzës i është drejtuar përmes një kërkese Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda për sekuestrimin e pasurisë së Balilit i vënë nën akuzë për një sërë veprash penale. Organi i Akuzës kërkon sekuestrimin e këtyre pronave, si fshehje të pasurisë së personit që po gjykohet për kryerjen e veprave penale ku ndër to përfshihet edhe ajo e pastrimit të parave të pista.

Prokuoria njofton se ka paraqitur kërkesën për konfiskimin e pasurive të mëposhtme: Truall me sipërfaqe 11.994 m2 me në qytetin e Sarandës; Objekti Ish-Kampi i Pushimit të Punëtorëve 4+1 kate me sipërfaqe ndërtimi 1923 m2 dhe sipërfaqe trualli 13.000 m2 ndodhur në qytetin e Sarandës; Truall me sipërfaqe 1716.91 m2 me ndodhur në qytetin e Sarandës, si dhe Njësi me sipërfaqe 120 m2, dhe 23 apartamente.

Ndër pronat e sekuestruara është edhe hoteli i njohur “Santa Quaranta” për të cilin Balili në një intervistë televizive të fundit në “Report TV” pati deklaruar se nuk është në pronësi të tij.

Ish-kampi i Punëtorëve në Sarandë, sot me emrin “Santa Quaranta”

Prokuroria në njoftimin e saj bën të ditur se Balili është akuzuar për kryerjen veprave penale Trafikimi i narkotikëve”, në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga nenet 283/a/1, 28/4, 333/a/2, 334/1, 257/a/2, 287/1 të Kodit Penal, bazuar  në nenet 3, 5, 7, 15 deri në 21, 22, 23, 24, 28, vijues të ligjit Nr. 10192 datë 03.12.2009, i ndryshuar “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”.

Balili, i njohur ndryshe si “Eskobari i Ballkanit”, ishte një nga personat më të kërkuar nga policia shqiptare dhe jo vetëm. Kapjen e tij e kërkonte edhe SHBA, ku ambasadorët amerikanë, si Donald Lu i kishte vënë si kusht qeverisë shqiptare arrestimin e njeriut që njihej si bosi i trafiqeve të lëndëve narkotike.

Nisur nga ky presion amerikan do të ishte vetë kryeministri Edi Rama që do të kërkonte drejtuesve të ministrisë së Brendshme kapjen e Balilit, duke u shprehur se “duam që ambasadori i ri i SHBA të mos na thojë përsëri të njëjtën gjë”.

Arrestimi i tij u bë më 15 janar të 2019, pas dy vitesh kërkimi nga ana e policisë kombëtare dhe ndërkombëtar për trafik droge. Por arrestimi i tij u bë vetëm pas negociatave mes policisë dhe avokatit të tij. Të martën e 15 janarit Klement Balili u vetëdorëzua në polici pas negociatave ku u përfshinë avokati i tij Theodhori Sollaku, drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu si dhe nipi i tij,  i cili mban dhe postin e kryetarit të Bashkisë së Delvinës, Rigels Balili.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë