Prokuroria e Tiranës ka kërkuar 1 vit e 6 muaj burg për ish-gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, Admir Thanza, nën akuzën e falsifikimit të formularëve të dekriminalizimit.
Gjyqtari Thanza gjykohet për zbulimin e ONM-së, në të cilin rezulton i dënuar nga Gjykata italiane me 40 ditë burgim për vjedhjen e një supermarketi.
Seanca e parë gjyqësore për ish-gjyqtarin, më 10 maj, u shty pasi Thanza mungonte në gjykatë.
Thanza u shkarkua nga KPK më 17 korrik 2018, pasi nuk deklaroi një dënim që kishte marrë në Itali në 1999. Dhe më 18 prill, Kolegji i Posaçëm i Apelimit e shkarkoi përfundimisht nga detyra.
Thanza ishte dënuar në Itali për vjedhje. Ngjarja ka ndodhur në vitin 1999, ku Thanza madje ishte dhe gjyqtar në Gjykatën e Shkodrës.
Ish-gjyqtari që ka qenë në krye të kupolës së drejtësisë si anëtar i Gjykatës së Lartë, për vite me radhë, ndoqi të njëjtën vijë mbrojtjeje edhe para komisionerëve edhe para prokurorëve që e hetuan. Ai këmbëngul se nuk ka vjedhur asnjëherë në jetën e tij dhe se e kishte pranuar këtë ngjarje për humanizëm, për të shpëtuar nipin e tij.
Për shkeljen e dytë, atë të mosdeklarimit në formular, Thanza pretendoi se posedonte një dëshmi penaliteti të pastër dhe se nuk ka fshehur asnjë krim. Por edhe alibia e fundit është rrëzuar pas konfirmimit nga shteti italian i shpallur si fajtor.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




