Gazeta Si – Prokuroria e Tiranës ka kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm për Dan Hutrën, të akuzuar për vrasjen e 3 grave dhe plagosjen e 3 të tjerave në mars të vitit 2023. Në total, Prokuroria kërkoi 3 dënime me burgim të përjetshëm dhe 1 me 35 vite burg për Hutrën.
Më 1 mars 2023, Dan Hutra, 40-vjeç, me precedentë të shumtë penalë, kreu një seri krimesh të rënda në Tiranë, duke vrarë tre gra dhe plagosur tre të tjera brenda pak orësh.
Rreth orës 12:15, në rrugën “Teodor Keko”, Hutra plagosi në zonën e Astirit me thikë 40-vjeçaren, Marjana Gurakuqi, me të cilën kishte njohje të mëparshme.
Rreth orës 12:35, në banesën e ish-bashkëjetueses së tij në Kodër-Kamëz, Elena Hysa, Hutra vrau me armë zjarri Mevlute Hysa (30 vjeçe), motra e Elenës, dhe Hasime Dafku (30 vjeçe), e fejuara e vëllait të Elenës. Gjithashtu, plagosi rëndë Elenën (35 vjeçe) dhe nënën e saj, Kujtime Hysa (60 vjeçe).
Më pas, rreth orës 12:48, në oborrin e banesës së saj në Kamëz, Hutra vrau me armë zjarri Etleva Kurtin (31 vjeçe), motra e Vladimir Kurtit, me të cilin Hutra kishte pasur konflikte në burg.
Pas këtyre ngjarjeve, policia organizoi një operacion të gjerë dhe arrestoi Hutrën rreth orës 18:45 në zonën e Sharrës, së bashku me armën e krimit.
Në dëshminë e tij, Hutra pranoi krimet, duke deklaruar se i kishte planifikuar me vetëdije dhe se nuk i interesonte sa do të dënohej. Ai shprehu pendesë vetëm për vrasjen e Hasime Dafkut, e cila ishte shtatzënë.
Ai ishte dënuar edhe për një ngjarje të vitit 2007, konkretisht të vrasjes së bashkëshortes së tij asokohe, ngjarje kjo e ndodhur në qytetin e Kukësit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.