Gazeta Si – Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela është takuar këtë të mërkurë me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ilir Proda.
Sipas njoftimit të Prokurorisë së Përgjithshme, objekt i takimit ishte bashkëpunimi dhe koordinimi mes prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm dhe Policisë së Shtetit në kuadër të hetimit të krimeve zgjedhore.
Proda e siguroi Çelën për angazhimin e strukturave të policisë së shtetit gjatë procesit zgjedhor në përputhje të plotë me kuadrin ligjor në fuqi.
“Nga drejtuesit e të dy institucioneve, u ra dakord për një sërë masash administrative që synojnë zbulimin dhe hetimin e shpejtë dhe efikas të krimeve zgjedhore, përmes një angazhimi tërësor të strukturave përkatëse, që do i përgjigjet nevojave specifike që lidhen me periudhën zgjedhore. Hetimi i krimeve zgjedhore do të konsiderohet si prioritet institucional dhe do të jetë objekt i punës së strukturave të posaçme hetimore që do të krijohen me prokurorë dhe oficerë të policisë gjyqësore, të cilat do të mbështeten gjithashtu me burimet e nevojshme njerëzore dhe teknike nga Policia e Shtetit për përdorimin e metodave speciale të hetimit”, thuhet në njoftim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




