Gazeta Si - Për rreth një orë, Prokurori i Tiranës, Bledar Valikaj është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme mëngjesin e kësaj të premteje.
Sipas burimeve paraprake, mësohet se ai është thirrur në SPAK për të dhënë deklarime në kuadër të hetimeve që çuan në pranga kreun e Prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka, i cili u arrestua nga SPAK pas zbërthimit të aplikacionit "Sky Ecc", si i lidhur me grupet kriminale.
Dyshohet se Zarka bashkë me ish-oficeren e Policisë Gjyqësore, Eriona Daupaj, avokatin Radovan Çela dhe Astrit Vladin, akuzohen se kanë ndërhyrë, marrë ryshfet dhe dhënë ryshfet funksionarëve në 8 çështje penale, 4 nga të cilat lidhen me dosjen "Toyota Yaris".
Kjo dosje lidhet me ngjarjen e vitit 2018, kur ish-prokuroria për Krimet e Rënda hetoi rastin e sekuestrimit të një shumë prej 3.4 milionë euro të bllokuara në Portin e Durrësit, në bordin e një automjeti “Toyota” të mbërritur nga Belgjika.
Ndërkohë Valikaj, bashkëshorti i deputetes socialiste Ermonela Felaj, është akuzuar nga kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi si i përfshirë në këtë dosje hetimore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.