Drejtësia

Xholi, Kondili, Dumani: 3 kandidatë për drejtimin e SPAK-ut

Gazeta Si - Pak ditë pas kandidaturës së parë të Adnan Xholit për kreun e SPAK, prokurorët e Posaçëm, Edvin Kondili dhe Altin Dumani, i rikthehen garës për drejtimin e kësaj strukture në mandatin e dytë.

Ata dorëzuan këtë të hënë platformën e drejtimit pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë, pas prokurorit Adnan Xholi, i cili shprehu interesin javën që shkoi, për të qenë në krye të SPAK 3 vitet e ardhshme.

Në korridoret e prokurorisë më të rëndësishme në vend, përflitet edhe 1 tjetër emër që synon të zërë vendin e Arben Krajës, megjithatë do të pritet data 2 nëntor për të mësuar nëse do të dorëzojë zyrtarisht kandidaturën pranë KLP-së.

Kondili, Xholi dhe Dumani, të 3 prokurorë karriere dhe të lidhur ngushtë në Prokurorinë e Posaçme pjesë e të cilës kanë qenë edhe në kohën kur mbante emrin Prokuroria për Krime të Rënda, do të konkurrojnë me njëri-tjetrin për aftësitë e tyre drejtuese dhe menaxhuese.

Afati maksimal për dorëzimin e kandidaturave është 2 2ëntor 2022 ora 00:00. Drejtuesi aktual i SPAK, Arben Kraja, përfundon mandatin në datën 19 dhjetor 2022. Ata duhet t’i paraqesin, KLP-së platformën dhe dokumentacionin shoqërues.

Më 19 dhjetor merr detyrën drejtuesi i ri i SPAK-ut dhe Kraja mbetet prokuror i thjeshtë në këtë institucion, pasi si prokuror, mandati është 9 vite, ndërsa si drejtues zgjidhet çdo 3 vite.

Drejtuesi i SPAK nuk ka të drejtë rizgjedhjeje, gëzon vetëm 1 mandat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë