Nga Gazeta ‘SI’ – Operatori i Blerjeve të Përqendruara, që kryen të gjitha prokurimet në llogari të institucioneve publike, u ka kërkuar atyre të rishikojnë çmimet e tenderimit.
Në një vendim me vërejtje për institucionet, Agjencia e Prokurimeve thekson se për shkak se institucionet caktojnë vlera të njëjta me kontratat e më hershme, apo të papërputhura me çmimet e tregut, shumë procedura kanë dështuar pas çmimet e ulëta ulin interesin tek bizneset.
“Nga një analizë që ka bërë OBP mbi procedurat që zhvillon ky institucion për autoritetet kontraktore përfituese ka rezultuar se përllogaritja e vlerës së parashikuar të prokurimit në shumë raste bazohet vetëm tek alternativa e kontratave të mëparshme, duke sjellë anullimin e procedurave të prokurimit pasi vlera e përllogaritur nuk është një vlerë koeherente për tregun,” thotë OPB në një shkresë zyrtare drejtuar Autoriteteve Kontraktore.
Për këtë qëllim, OBP u ka bërë thirrje institucioneve publike që t’u referohen edhe metodave të tjera që parashikon ligji i Prokurimit publik për përcaktimin e fondit limit, siç janë çmimet e botuara nga INSTAT, studimet e tregut apo dhe çmimet ndërkombëtare të shpallura publikisht.
“Sa më sipër, sjellim në vëmendje që, për përllogaritjen e fondit limit, autoritetet të mbajnë në konsideratë alternativat e mësipërme, me qëllim që vlera e përllogaritur të jetë sa më reale me çmimet e tregut, duke nxitur kështu pjesëmarrjen dhe konkurrencën e operatorëve, si dhe duke shmangur anullimet, të cilat sjellin rritje të kostove administrative,” u bënë thirrje OBP autoriteteve kontraktore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.