Nga Gazeta ‘SI’ – Masat mbështetëse nga qeveria për prodhuesit e energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme do të jepen vetëm për ato që janë kryer me ankande dhe jo për ata që aplikojnë.
Kështu tregoi sot (13 shkurt) drejtori i përgjithshëm për energjinë në ministrinë e Energjisë, Enea Karakaçi në komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, ku u prezantua projektligji “Për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme”.
Një ndër masat që qeveria parashikonte ishte blerja e energjisë tek këto burime për ta hedhur atë në rrjet, por kjo do të bëhet tani vetëm për projektet që kalojnë në ankande, mbi 500 megavat.
Llojet e mbështetjes sipas projektligjit ishin parashikuar tre, marrëveshjea për blerje të energjisë, kontratës për diferencën.( Operatori i Energjisë së Rinovueshme i paguan Prodhuesit me Përparësi diferencën midis Çmimit të Garantuar dhe Çmimit të Referencës kur Çmimi i Referencës është më i ulët se Çmimi i Garantuar, dhe prodhuesi me përparësi i paguan diferencën) ose me kontratë për Prim, çmim i vendosur midis OER dhe prodhuesit me përparësi, sipas çmimit të tregut.
Ilir Bejtja, zv/ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë tregoi se projektligji rregullon dhe pjesën e autoprodhuesëve, dhe se prodhuesit e vegjël do të munden ta tregtojnë energjinë e tyre.
“Do të krijohet edhe Operatori i Energjisë së Rinovueshme ,i cili të gjithë energjinë që do të akomodojë nga këto burime do ta hedhë në bursën e energjisë, pra në tregun e lirë”, sqaroi Bejtja.
Ai shtoi se në projektligj synohet të dekarbonizohet 29.9% e energjisë deri në 2023-shin dhe të realizojë tragetin e burimeve të rinovueshme prej 54%.
Drejtori Karakaçi i tha se projektligji nuk do të sjellë kosto shtesë për buxhetin e shtetit. Çdo kosto teknike, do të paguhet nga vetë prodhuesit.
Deputeti i Partisë Demokratike, Lefter Gështenja kundërshtoi projektligjin e ri duke thënë se qëllimi është të ndihmojë disa individë dhe për të krijuar monopol. “Ashtu si çdo projektligj tjetër që vjen nga kjo mazhorancë edhe ky projektligj është i hartuar nga dhe i projektuar që të përfitojnë një grup njerëzish dhe jo masa në përgjithësi”, tha Gështenja.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



