Nga Gazeta “SI”– Qeveria rikthen për konsultim projektligjin e bllokuar prej dy vitesh për legalizimin e parave të padeklaruara jo vetëm të emigrantëve, por edhe të qytetarëve shqiptarë që janë rezidentë këtu,. Gjithashtu drafti synon legalizimin e të ardhurave te padeklaruara të bizneseve dhe paratë e padeklaruara të shtetasve të huaj që janë tatimpagues në Shqipëri. Nëpërmjet kësaj nisme qeveria synon të reduktojë paranë cash në ekonomi, të formalizojë ekonominë pasi paratë do të deklarohen dhe nga ana tjetër të sigurojë të ardhura për shkak të tatimit që do të mblidhet.
Sipas draftit deklarimet vullnetare të pasurive “nuk do të shërbejnë si indicie apo provë për ndjekjen apo procedimin penal dhe/ose administrativ të subjekteve përfituese”.
Limiti maksimal i pasurisë që mund të deklarohet vullnetarisht sipas projektligjit, është 2 mln euro dhe shuma mund të tërhiqet 9 muaj pas deklarimit.
Nga amnistia fiskale përjashtohen të gjithë individët që cilësohen nënpunës publikë, të cilët e kanë detyrim ligjor të deklarojnë pasurinë, ku përfshihen politikanët dhe drejtues të institucioneve shtetërore.
Sipas projektligjit, nga ai përjashtohen edhe individë me precedentë penale që tashmë janë në kërkim apo nën akuza.
Sipas dokumentit të publikuar, është planifikuar ngritja e një Njësie Speciale pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve , e quajtur Njësia për Mbikëqyrjen e Deklarimit Vullnetar të Pasurive, në varësi të drejtpërdrejtë të Tatimeve.
Kjo Njësi do të ketë për detyrë dhe përgjejësi kontrollin dhe zbatimin e ligjit, nëpërmjet monitorimit, mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave nga bankat tregtare, institucionet e tjera financiare, Kadastra, Gjendja Civile, Prokuroria, SHISH, Ministria e Drejtësisë, Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave etj.
Këto subjekte janë të detyruar të kthejnë përgjigje brenda 3 ditë pune nga marrja e kërkesës nga Njësia. Shërbimet e kryera nga Institucioneve shtetërore në funksion të zbatimit këtij ligji kryhen pa pagesë kundrejt Njësisë.
Deklaruesit vullnetar të pasurisë do të vetëdeklarohen me një formular pranë Njësisë, si për para si për pasuri të paluajtshme.
Pasi do të marrin formularin nga njësia, subjektet do të paraqiten në bankë duke dorëzuar një kopje të formularit për depozitimin e parave, më pas bankat pas verifikimit të vërtetimit pajis subjektin me vërtetim depozitimi dhe mbajtjen e tatimit dhe bankat apo institucionet e tjera financiare njoftojnë menjëherë Njësinë mbi depozitimin e shumës në të holla dhe përputhshmërinë e kësaj shume me vlerën e deklaruar në formular.
Po ashtu, të njëjtat hapa do të ndjekin edhe bizneset që deklarojnë vullnetarisht pasuritë dhe elemente të pasqyrave financiare që nuk i kanë deklaruar më parë apo i kanë deklaruar në një vlerë më të vogël se ajo çfarë duhet të deklaronin pavarësisht nëse pasuritë, në tërësinë e tyre, janë të paregjistruara në autoritetet kompetente, apo ndodhen ose jo në e Shqipërisë.
Për shumat e deklaruara në para, projektligji ndalon transferimin e tyre jashtë shtetit për 5 vite nga momenti i përfundimit të procedurës së deklarimit.
Subjekti deklarues nuk mund t’i tërheqë shumat e depozituara deri në përfundim të afatit të zbatim të këtij ligji.
Në rastet kur subjektet që kanë deklaruar shuma në të holla, dëshirojnë të transferojnë këto shuma ose ekuivalentin e tyre jashtë shtetit, përpara afatit 5-vjeçar nga data e depozitimit të tyre, u mbahet si penalitet 30% e shumës së transferuar.
Penalitetet kalojnë në llogari të thesarit në Ministrinë përgjegjëse për Financat.
Deklarimi i pasurive të paluajtshme përfshin pasuri me burime të padeklaruara, të regjistruara në regjistrat publike, pasuri me burime të padeklaruara por që janë në proces regjistrimi dhe pasuri me burime të padeklaruara për të cilat janë lidhur kontrata shitjeje që nuk janë paraqitur për regjistrim sipas legjislacionit përkatës të fushës.
Projektligji për Amnistinë Fiskale përfshin edhe tatimin e posaçëm të pasurisë.
Në rastet e deklarimit vullnetar të shumave në të holla dhe të depozitimit të tyre në llogaritë bankare, banka apo institucioni financiar mban një tatim të posaçëm prej 7% të shumës totale të deklaruar, për deklarime dhe pagesa të kryera në 4 muajt e parë nga hyrja në fuqi e ligjit. 10% të shumës totale të deklaruar, për deklarime dhe pagesa të kryera pas 4 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit.
Nëse subjektet që kanë bërë deklarimin vullnetar të shumave në të holla nëpërmjet depozitimit të tyre në llogari bankare, vendosin t’i investojnë shumat e deklaruara në tituj shtetërorë, bono thesari apo obligacione jo më të vogla se 2 vjeçare, Banka e Shqipërisë në rolin e Agjentit Fiskal, mban një tatim të posaçëm prej 5% të shumës totale për investime të bëra në katër muajt e parë nga hyrja në fuqi e ligjit. 7% të shumës totale për investime të bëra pas katër muajve nga hyrja në fuqi e ligjit.
Në rastet e deklarimit vullnetar të pasurive të tjera të luajtshme apo të paluajtshme të deklaruara vullnetarisht pranë Njësisë, tatimi i posaçëm është 7% të vlerës së deklaruar, për deklarime dhe pagesa të kryera në katër muajt e parë nga hyrja në fuqi e ligjit. 10% të vlerës së deklaruar, për deklarime dhe pagesa të kryera pas katër muajve nga hyrja në fuqi e ligjit.
Sipas këtyre pikave bëhet edhe deklarimi i pasurive që ndodhen jashtë territorit të Shqipërisë, por ata e dorëzojnë formularin e vetëdeklarimit në autoritetet përgjegjëse doganore kufitare për kryerjen e procedurave doganore, sipas legjislacionit në fuqi.
Deklarimet dhe veprimet e kryera në kuadër të legalizimit të pasurive nga ana e subjekteve përfituese, sipas këtij ligji, në lidhje me llojin dhe vlerën e pasurisë që deklarojnë vullnetarisht në formularin përkatës.
Amnistia Fiskale është kundërshtuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar si dhe Banka Botërore, të cilët e kanë cilësuar si vendim të rrezikshëm që nga mundësia që projektligji të sigurojë mosndëshkim për subjektet që zotërojnë pasuri të vendosura nga aktivitetet kriminale, e deri tek mundësia e pastrimit të parave të pista dhe formalizimin e aseteve të krimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.