Njerez

Projektligji/ Fëmijët pa mbështetje prindërore do vendosen në kujdes alternativ. Si përzgjidhen familjet

Nga Gazeta Si- Për herë të parë në Shqipëri, fëmijët pa kujdes prindëror do mund të vendosen në një familje alternative kujdestare.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, pjesë e një familje alternative do bëhet çdo fëmijë pa kujdes prindëror ose në rrezik për ta humbur atë. Çdo familje që dëshiron të ofrojë kujdes alternativ do paraqesë kërkesë me shkrim tek shërbimet sociale në bashki ose mund të bëjë një kërkesë në e-Albania.

Më pas shërbimet sociale do të kryejnë vlerësimin paraprak të familjeve të interesuara. Vendimi për përzgjedhjen e familjeve jepet nga komisioni shumëdisiplinar në bashki dhe regjistrohet në Regjistrin e kujdesit alternative, i cili do përfshijë të dhëna për familjet kujdestare.

Më pas, familjet e regjistruara do ndjekin trajnimin e strukturuar dhe të detyrueshëm për pajisjen me njohuritë dhe aftësitë e nevojshme sipas llojit të kujdesit alternativ.

Kujdesi alternativ në familje ofrohet si kujdes alternativ profesional ose kujdes alternativ

Vullnetar ku vullnetar do jenë të afërm të fëmijës.

Kujdesi alternativ në familje ofrohet nga familjet që gëzojnë aftësi të plotë për të vepruar, kanë shtetësi shqiptare, nuk janë në moshën e pensionit, me përjashtim të rasteve të kujdesit alternativ vullnetar në familje nga të afërm, kanë kushte të përshtatshme banimi, janë në gjendje shëndetësore fizike ose mendore që nuk rrezikon shëndetin, mirëqenien ose zhvillimin e fëmijës.

Që një familje të jetë kujdestare e një fëmije, duhet të ketë pëlqimin me shkrim të të gjithë anëtarëve të rritur të familjes.

Familjet që përmbushin kriteret dhe kushtet do pajisen me licencën për ofrimin e këtij shërbimi.

Më pas, komisioni ndërdisiplinor i bashkisë do të vendosë për familjen alternative.

Vendimi për vendosjen e fëmijës në kujdes alternativ në familje përmban llojin dhe kohëzgjatjen e kujdesit alternativ, përgjegjësitë e organeve kompetente, masat paraprake për njohjen graduale të fëmijës me familjen kujdestare, masat mbështetëse për fëmijën, familjen kujdestare dhe, sipas rastit, familjen biologjike të fëmijës.

Një familje ofron shërbimin e kujdesit alternativ në familje deri në tre fëmijë njëkohësisht, përfshirë edhe fëmijët biologjikë, të birësuar ose në kujdestari të saj.

Familja biologjike/e mëparshme e fëmijës, përveç rasteve të përjashtuara me vendim gjyqësor, ka të drejtë të:

– informohet për vendosjen e fëmijës në kujdes alternativ në familje si dhe të informohet periodikisht për gjendjen e fëmijës.

– ruajë kontakte me fëmijën në mënyrë të sigurt dhe të mbështetur nga njësia/punonjësi për mbrojtjen e fëmijës.

– përfshihet në programet e prindërimit dhe ato për riintegrimin e fëmijës.

Familja që ofron shërbimin e kujdesit alternativ profesional përfiton një paketë mbështetje financiare për ofrimin e shërbimit. Këtu përfshihet një pagë mujore dhe pagesë mujore dhe vjetore për çdo fëmijë.

Gjithashtu, familjet që ofrojnë shërbimin do përfitojnë mbështetje financiare për të përballuar shpenzimet e kujdesit për fëmijën/t si dhe do të regjistrohen si të punësuar, ku do u paguhen sigurimet shoqërore dhe shëndetësore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë