Magdalena Gjanci është 60 vjeç dhe jeton e vetme në qytetin e Korçës. Shtëpia e saj ka vetëm një dhomë, ku ndodhet një kolltuk, një bufe dhe një stofë. Nën këto kushte të vështira e moshuara Magdalena është një nga 355 të moshuarit për të cilët kujdeset organizata “Dorcas Aid International”, cila ka si synim kujdesin e të moshuarve të vetmuar në vendin tonë.
Zëdhënës të organizatës Dorcas kanë treguar për Gazetasi.al se kanë marrë në kujdes të moshuarën Magdalena pasi mësoi se jetesa e saj si e vetmuar ishte tepër e vështirë. Magdalena nuk ishte martuar kurrë për shkak se duhej të kujdesej për prindërit e saj të moshuar. Të ardhurat mujore që merr nga asistenca sociale prej 1700 lekë në muaj nuk i mjaftojnë.
Një grua e dhënë pas leximit dhe jetës akademike Magdalena nuk ka mundur dot të realizojë ëndrrën e saj për t’u bërë mësuese, paçka se studimet për këtë degë i nisi në moshën 40 vjeçare, kurrë nuk ka reshtur së lëxuari. Duke qenë se në rini Magdalena ka punuar në fabrikën e qelqit, talenti në pikturë e ndihmon të fitojë të ardhura edhe sot. Stafi i organizatës Dorcas i siguron lëndën e parë dhe me to ajo krijon suvenire për festa të ndryshme si Krishtlindje apo Pashkë, e të cilat i shet dhe mund të marri disa të ardhura më shumë.
“Magdalena është një njeri tepër mirënjohës. Ajo është një nga shembujt me të mirë për të treguar që pavaresisht moshës e vështirësive, është e rëndësishme të përpiqesh, mos dorëzohesh dhe të përdorësh talentet e tua”, tregon më tej për Gazetasi.al Viola Bogdani, përgjegjëse projekti në organizatën Dorcas.
Bogdani tregon se nën kuadër të kujdesit të vzhdueshëm për të moshuarit, organizata Dorcas kohët e fundit ka ndërrmarrë një fushatë e cila quhet “Kovat Blu”. Bogdani shpjegoi për Gazetasi.al se fushata është çelur në tetor dhe mendohet të vazhdoje deri në fund të dhjetorit.
“Ne mendojme të sigurojmë ushqime mjaftueshëm për 4 muaj për 355 të moshuarit pjesë e projektit, por dëshirojme të ndihmojmë edhe 30 të tjerë jashtë projektit. Është e rëndësishme të përmendet se “Dorcas Albania” është një nga organizatat e pakta që mbështesin këtë kategori, jo vetëm në nivel vendor, por edhe në nivel kombëtar. Bluja është ngjyra zyrtare identifikuese e organizatës dhe kova, në vend të kutisë, me qëllim për t’i dhuruar familjes diçka që u duhet në shtëpi”, shton Bogdani.
Tashmë 355 të moshuar të vetmuar mbështeten rregullisht me ushqime, medikamente, dru zjarri, suport psikologjik dhe shpirtëror. Më tëj Bogdani shpjegon se “Dorcas Aid International” është një organizatë ndërkombëtare Ndihme dhe Zhvillimi, me qendër në Hollandë, e cila filloi të ndihmojë Shqipërinë në fund të vitit 1991. Kjo organizatë ka zyrën qëndrore në qytetin e Korçës dhe gjatë viteve, ka punuar me organizata partnere edhe në Shqipëri të Mesme (Elbasan) dhe Verilindje (Tropojë). Bogdani i tregoi Gazetasi.al se organizata është e përqëndruar edhe në fusha të tjera duke ndihmuar edhe në situate katastrofash dhe emergjencash.
Në lidhje me të moshuarit projekti aktual është shtrirë deri tani në Bashkitë e Korçës, Devollit, Ersekës, Maliqit dhe Pogradecit.
“Shumica e fondeve më parë siguroheshin nga Hollanda, por tani ne synojmë të rrisim financimin dhe mbështetjen lokale për këta të moshuar”, shpjegon Bogdani.
Përgjegjsja e projektit shpjegon më tej se gjatë gjithë kohës me të moshuarit punojnë 4 punonjës social të cilët i vizitojnë të moshuarit në baza të rregullta. Ata bëj ë biseda, i dëgjojnë dhe dërgojnë edhe vullnetare që kanë dëshirë të flasin me të moshuarit.
Organizata ka gjithashtu një sistem të mirfilltë nëpërmjet të cilit “përzgjedh” të moshuarit që ndiqen rregullisht. Disa nga kriteret janë:
- I moshuari/ e moshuara jeton i/e vetmuar dhe merr një pension që arrin maksimumin 13,000 lek. Jeton në kushte të vështira shëndetësore dhe e ka vështirë të blejë mjekimet apo të mbuloje të tjera probleme që ka shtepia.
- Mosha 60 +.
- Të moshuarit mund të jenë çift dhe të marrin pensione që variojnë nga 5.000 lekë deri 13.000 lek dhe jetojnë në kushte shumë të vështira ekonomike, sociale, etj.
- Të moshuarit mund të kenë në kujdestari një nip apo mbesë (në rastin kur prindërit i kanë braktisur ose në situata të tjera të ngjashme).
- I moshuari/ e moshuara jeton me djalin/ vajzën që është me aftësi të kufizuara apo ka probleme me zhvillimin mendor.
- Të moshuarit mund të kenë fëmijë apo të afërm jashtë shtetit, por që janë totalisht të neglizhuar apo braktisur prej tyre.
- Të moshuarit mund të jetojne në të njëjtin qytet me të afërm apo fëmijët e tyre, por janë braktisur prej tyre dhe nuk kanë asnjë kujdes prej tyre.
Më tej Bogdani shpjegon për Gazetasi.al se të moshuarit ndihmohen zakonisht deri në fund të jetës së tyre, për aq kohë sa kanë një sponsor, ose derisa një nga të afërmit i merr përsipër të kujdeset, ose kur largohen nga vendbanimi për në një qytet apo shtet tjeter tek të afërmit e tyre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)























