Arsim

Projekti TAP dhe zbulimi i naftës në Shpirag, të rinjtë shqiptarë të interesuar vetëm për degën e naftës dhe gazit

Nga Gazeta Si - Ndërkohë që 3 nga programet e Fakultetit të Gjeologjisë janë në kufijtë e numrit minimal të regjistrimeve, 2 programe të tjera prej disa vitesh tashmë kanë parë një numër të konsiderueshëm regjistrimesh.

Dy programet e studimit që nuk kanë problematika janë Inxhinieria e Naftës dhe e gazit dhe Inxhinieria gjeoinformatike.

Vasil Jorgji, dekan i Fakultetit të Gjeologjisë dhe Minierave

Vasil Jorgji, dekan i Fakultetit të Gjeologjisë thotë se numri i lartë është trend i përvitshëm dhe që prej 2019 e deri më sot këto dy programe kanë pasur numrin më të madh të regjistrimeve.

“Madje në vitet 2019-2020, 2020-2021 janë plotësuar kuotat që ne kemi ofruar”.

Sipas dekanit Jorgji, projekti i TAP dhe zbulimi i naftës në Shpirag, ku po punon kompania SHELL kanë dhënë efekt të drejtpërdrejtë tek zgjedhjet e studentëve, që janë më të interesuar për Inxhinierinë e naftës dhe e gazit.

"Ne kemi studentë nga Vlora, Fieri, Lushnja dhe Berati, pikërisht nga vendet ku janë të përqendruara këto veprimtari. Për shembull, ne nuk kemi studentë nga Tropoja për programin e Inxhinierisë së naftës dhe gazit”, shpjegon Jorgji.

Në dy programet janë regjistruar 21 dhe 18 studentë dhe kanë aplikuar më shumë në raundin e dytë kështu që fakulteti është detyruar të ‘heqë vijën e kuqe’ që do të thotë se do të ketë kufizime të regjistrimeve në raundin e dytë dhe raundin e lirë më pas.

“Nga 29 vende bosh, në Inxhinierinë e naftës dhe gazit kanë aplikuar 87 studentë në raundin e dytë. Do të thotë që ky është program i studimit që është në vend të parë në fakultetin e Gjeologjisë”, përfundon Jorgji.

Më 21 shtator u mbyll edhe raundi i dytë i aplikimeve ku sipas të dhënave, kanë aplikuar 5900 maturantë. Duke nisur nga 22 shtatori e deri më datë 1 tetor, maturantët mund të regjistrohen pranë fakulteteve përkatëse, në sekretaritë mësimore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë