Njerez

‘Projekti Merimanga’, si do të bllokohet online çdo përmbajte dhune dhe abuzimi seksual i fëmijëve

Nga Gazeta Si – Projekti “Merimanga”, një program kompjuterik që shërben për të fshirë materialet me përmbajtje të dhunës dhe abuzimit seksual të fëmijëve në internet, tani është edhe në Shqipëri, vendi i vetëm në Ballkan që e ka një program të tillë.

Altin Hazizaj, drejtori i CRCA Albania ka shpjeguar për Gazetasi.al se si do të funksionojë ky projekt në vendin tonë.

Hazizaj tha se ky projekt fillon në shtator dhe është lloji i softuerit që gjurmon automatikisht materiale të cilat ose janë të klasifikuara më përpara nga dikush tjetër si materiale me përmbajtje të dhunës seksuale ndaj fëmijëve ose janë materiale të reja.

Këto përmbajtje i gjurmon vetë sistemi vetëm në Shqipëri dhe shikon se ku janë të vendosura këto video, në çfarë serverësh janë të vendosur. Nëse janë në Shqipëri, “e kemi ne për detyrë të kontaktojmë faqen. Nëse janë jashtë Shqipërisë faqet që kanë përmbajtje të tilla, atëherë kontaktojmë me organizatën që kemi partner në shtetin ku ne evidentojmë fotot ose videos”, thotë Hazizaj.

Për aq kohë sa një përmbajtje shpërndahet në Shqipëri, Hazizaj thotë se mund të ndërhyhet këtu, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe Kompanitë e aplikacioneve, si Meta.

Hazizaj thotë se nëpërmjet sistemit, CRCA mund të shikojë nëse ka pedofilë në vendin tonë që mbajnë video apo foto me përmbajtje të dhunës seksuale në masë të madhe.

“Përmbajtjet do të gjurmohen, do të referohen tek policia dhe kompanitë dhe më pas do të kodohen. Nëse një përmbajtje kodohet, kjo lloj përmbajtje do të gjurmohet kudo ku do të shpërndahet në vendet që kanë programin Merimanga”, thotë Hazizaj.

Ky program është lancuar në vitin 2017 në Kanada dhe me të punojnë 50 institucione dhe organizata në të gjithë botën.

Programi “Merimanga” ka aftësinë të gjurmojë duke përdorur edhe inteligjencën artificiale për të gjetur gjithë personat që dhunojnë seksualisht fëmijët dhe që mbajnë materiale me këtë përmbajtje.  

Që nga fillimi i tij “Projekti Merimanga” ka qenë në gjendje të identifikojë më shumë se 55 milionë imazhe të dyshimta.

Në Shqipëri, CRCA e ofron këtë shërbim nëpërmjet Linjës Kombëtare për Internet të Sigurt për Fëmijët, pjesë e platformës kombëtare www.iSIGURT.al.

Që prej hapjes së saj, iSIGURT ka bllokuar dhe hequr nga interneti më shumë sesa 10 mijë faqe me përmbajtje të CSAM ndërsa mbi 600 fëmijë dhe të rinj kanë marrë mbështetje direkte nga Linja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë