Menaxhim

Projektet publike ngelen rrugëve! 33 mld lekë investime të parealizuara nga qeveria

Nga Gazeta ‘SI’ – Një raport monitorimi i organizatës Qëndresa Qytetare ka gjetur se qindra projekte të parashikuara nga qeveria, në buxhetin e vitit 2024, kanë mbetur vetëm në letra.

Sipas QQ-së, disa nga projektet e parealizuara janë jetike për vendin dhe do të ndikonin në përmirësimin e jetesës së qytetarëve.

Konkretisht, bëhet fjalë për 275 projekte investimesh të parashikuara në Planin Buxhetor, me një vlerë totale rreth 33.7 miliard lekë nga 7 ministritë kryesore.

Në ministrinë e Bujqësisë 11 projekte (2.87 miliard lekë), përfshirë cilësinë dhe kontrollin e ushqimit, nuk janë nisur.

Në ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjitikës, 120 projekte (11.96 miliard lekë), kryesisht ndërtimi dhe rehabilitimi i ujësjellësve; 112 projekte ujësjellësash nuk u realizuan.

Financat dhe Ekonomia: 24 projekte (2 miliard lekë), kryesisht për përmirësimin e banimit dhe lehtësimin e tregtisë.

Arsimi dhe Sportet: 59 projekte (4.3 miliard lekë), përfshirë transportin për nxënës dhe mësues, laboratorë dhe projekte kërkimore.

Shëndetësia dhe Mirëqënia Sociale: 21 projekte (836 milionë lekë), kryesisht ndërtimi i qendrave shëndetësore dhe furnizimi me pajisje laboratorike.

Brendshme: 20 projekte (1.06 miliard lekë), për modernizimin e sistemeve dhe parandalimin e rreziqeve të sigurisë.

Mbrojtja: 20 projekte (10.68 miliard lekë), përfshirë modernizimin dhe rritjen e kapaciteteve në kuadër të NATO-s.

Në përfundim, Qëndresa Qytetare rekomandon që për të përmirësuar situatën, duhet rritur transparenca dhe të gjurmohet me kujdes ecuria e projekteve publike, duke vendosur një kod unik për secilin projekt që të lehtësohet monitorimi. Po ashtu, projektet, sugjeron QQ, duhet të klasifikohen sipas rëndësisë, duke i dhënë përparësi atyre më strategjikë, ndërsa çdo mos-realizim duhet shpjeguar publikisht, për të garantuar llogaridhënie dhe besueshmëri ndaj qytetarëve dhe parave të tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë