Pas dy vitesh në sirtaret e qeverisë akti i miratimit të procedurës së lehtësuar i autorizimit për lidhjen në sistemin e shpërndarjes së projekteve të vogla të energjisë së rinovueshme nga dielli, është firmosur nga Ministria e Energjetikës dhe do të hyjë menjëherë në fuqi pasi të zbardhet në Fletoren Zyrtare.
Ministrja Belinda Balluku në një takim me përfaqësues të OSHEE dhe biznesit prodhues të energjisë fotovoltaike, u shpreh: “Është proces i përfunduar. Për OSHEE është një process kompleks që kërkon investime, sepse ka një fluks të parregulluar, të paparashikuar, megjithatë kemi dëshirën e mirë të akomodojmë të gjitha kërkesat dhe padyshim të lehtësojmë të gjithë ata individë apo kompani që kanë iniciativa kaq të dobishme për ambientin përmes krijimit të energjisë nga burime të rinovueshme siç është dielli, por krijojnë nisma për tu ndjekur nga të tjerat.”
Sipas ministres Balluku, ky është një proces që ka nisur dhe është hapur një rrugë komunikimi mes bizneseve dhe OSHEE-së, por ka shumë gjëra për të bërë dhe “bashkëpunimi ynë nuk përfundon këtu me nxjerrjen e këtij akti, por ju duhet të jeni të ngazhuar dhe bashkëpunues për të patur rezultate.”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




