Menaxhim

Projektet e energjisë, BE i jep 32 mln euro ndihmë Shqipërisë

Nga Gazeta ‘SI’ – Bashkimi Europian ka dhënë dritën jeshile për një paketë të re mbështetje për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në kuadër të Planit të Rritjes, BE ka miratuar 87.7 mln euro ndihmë, nga të cilat Shqipëria përfiton 32 mln euro për tre projekte të lidhura me fushën e energjisë.

Projekti i parë është “Digjitalizimi i sistemit të transmetimit të energjisë”, i cili përfshin 40 nënstacione të tensionit të lartë në gjithë vendin, duke rritur kështu kapacitetin e rrjetit dhe duke ulur humbjet. Vlera e projektit arrin në 95.3 milionë euro, ku BE kontribuon me 10.5 milionë euro.

Projekti i dytë është rikonstruksioni i Hidrocentralit të Fierzës. Investimi synon të zgjasë jetën e hidrocentralit edhe 30 vite, duke rritur efikasitetin me 4% dhe prodhimin me 10%. Faza e dytë e projektit mbështetet nga fondet e Planit të Rritjes me 13.6 milionë euro, në një investim total prej 64.2 milionë euro.  Projekti i tretë është Linja e re Rrashbull – Tiranë dhe Unaza e Tiranës. Investimi kap vlerën 61.1 milionë euro, ndërsa BE kontribuon me 8 milionë euro.

Serbia është vendi që ka fituar më shumë nga BE, 41 mln euro për dy projekte që kushtojnë 186 mln euro, ndërsa Mali i Zi ka përfituar 10 mln euro me projekte që kushtojnë rreth 54 mln euro.

Digjitalizimi në fushën e energjetikës dhe energjia e pastër janë projektet e para që përfshin Plani i Rritjes së BE-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë