Para

Projekt-pilot për pagesat e shpejta, Rama: Ul evazionin. Do të vendoset normë

Nga Gazeta 'SI' - Qeveria shqiptare ka prezantuar projekt-pilotin e pagesave të shpejta, për qytetarët dhe bizneset në Tiranë.

Gjatë një takimi me qytetarë, kryeministri Edi Rama tha se projekti që synon të lehtësojë pagesat utilitare, është një zgjidhje edhe për reduktimin e evazionit fiskal, pasi nuk ka as komision e as para cash.

Rama tha se pagesat elektronike janë një përparësi për konsumatorët.

“Konsumatorëve një herë kjo iu jep një avantazh shumë të madh sepse nuk mbajnë lekë nëpër xhepa, kontrollon gjatë gjithë kohës financën dhe mbi të gjitha kjo bën që mos të ketë dhe evazion nga ana e bizneseve të Tvsh-së. Plus që kjo ka dhe të mirën që s’ka komision, domethënë është më e lirë sesa përdorimi i kartës dhe sesa transaksionet që bëhen nëpërmjet bankës. S’ndryshon asgjë. Vetëm ndryshon transaksioni nga “fut dorën në xhep, ver para merr para, i kam s’i kam”, ndërkohë që ajo bëhet shkas pastaj edhe për shumë evazion në sensin që e mori dyqani lekun, nuk ta dha faturën, faktikisht iku një pjesë e detyrimit karshi vet qytetarit përmes shtetit kuptohet. Vetëm të mira ka kjo!” – u shpreh Kryeministri Rama.

Pjesë e takimit ishte edhe Delina Ibrahimaj, ministre e Sipërmarrjes dhe Klimës së Biznesit, e cila tha se përveç zgjerimit të pagesave digjitale, projekti do të testojë dhe qasjen e kosumatorëve. Sipas të dhënave që do të mblidhen, ministrja tha se do të vendoset një target për përqindjen e pagesave që duhet të bëhen nëpërmjet pajisjeve elektronike.

“Kemi përfunduar fazën e përzgjedhjes së gjithë individëve në tre qytete, në Tiranë, njësinë 5, në Peshkopi dhe në Përmet. Kemi lidhur kontrata me të gjithë individët dhe nga java e ardhshme do të vazhdojmë të kryejmë pagesat nëpërmjet modeleve elektronike. Sot do të fillojë testimi i pagesave. Janë përzgjedhur 8 kompani të cilat janë gati për t’u testuar. Qëllimi i gjithë projektit është në fakt të kuptojmë të gjithë vështirësitë që mund të ketë individët në përdorimin e këtyre pagesave. Kohët e fundit ne jemi të gjithë të angazhuar drejt inovacionit, po një element kyç i inovacionit janë pagesat elektronike.” – shpjegoi Ministrja Ibrahimaj.

Projekti Pilot do të zbatohet për periudhën kohore Maj-Gusht 2024 në Tiranë, Peshkopi, Përmet. Kryerja dhe konfirmimi i pagesës në kohë reale përmes portofolit elektronik që ofrojnë institucionet financiare, realizohet përmes QR code të faturës së fiskalizuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë