Si asnjëherë më parë, kur programi mbivendosej nga akuzat për manipulimin e zgjedhjeve, në këtë fushatë PD nxori të parin programin. Shpalosja e tij kishte konkurencë vetëm lajmet në lidhje me strategjistin e fushatës së Presidentit Trump, të kontraktuar nga PS dhe kontratën e lobimit potencialisht 6 milionë USD me përfitues PD-në.
Me bindjen se gjatë qeverisjes 12 vjeçare të Edi Ramës, ekonomia e shqiptarëve është përkeqësuar, duke sjellë edhe largimin e tyre masiv, Sali Berisha vendosi ekonominë e individit në qendër të programit të PD dhe prentimet e tij ishin me mesazhe të shkurtra, të kuptueshme dhe që mund të mbahen mend lehtësisht. “Ne kemi vendosur që 100 ditët e para në Shqipëri të përjashtohet varfëria ekstreme, t’u kthejmë qytetarëve paratë që u marrim me taksa dhe të marrim vendime që rrisin ekonominë dhe mbajnë rininë në Shqipëri”- deklaroi zoti Berisha në konventën për shpalljen e programit të PD.
Për të treguar që programi është plotësisht i realizueshëm, zoti Berisha vendosi afate 100 ditore për premtimet kryesore dhe e cilësoi atë si programin më të mirë që ai ka paraqitur në këto 34 vite. Kur pyetet për zbatueshmërinë e programit që ul taksat dhe rrit shoe zimet ndjeshëm, zoti Berisha ka një përgjigje. “Unë kam eksperiencën me vete. Kur vendosa taksën e sheshtë në 2006-ën, në kundërshtim me vendimin e FMN-së, të ardhurat u rritën me 300 milionë dolllarë më shumë. Ne ko vetëm nuk ecim në shteg të panjohur, por kemi qenë të suksesshëm”- tha zoti Berisha përpara mbylljes së fushatës. Siç e pranon edhe vetë lideri i opozitës, kandidat për kryeministër, “ky program synon të lërë një trashëgimi të re për PD”.
PIKAT E PROGRAMIT TË PD
- Vendosja e minimumit jetik 200 euro.
- Pension minimal mujor 200 euro. 57 përqind e pensionistëve janë me pension jo të plotë.
- Pagesë mujore 200 euro për të papunët me ndihmë ekonomike, studentët me bursë për pamundësi ekonomike, jetimët.
- Vendosje e Kartës së Konsumatorit për kategoritë që përfitojnë nga vendosja e minimumit jetik. 450 euro çdo vit lthehen mbrapsht tek majtësi i Kartës, bazuar mbi faturat për shportën bazë të ushqimeve.
- Ulje në 7 lekë të çmimit të energjisë elektrike për kategoritë e minimumit jetik.
- Rimbursim i plotë i ilaçeve sipas listës së publikuar nga Italia për kategoritë e minimumit jetik.
- Rroga minimale do të jetë 500 euro.
- Rroga mesatare do të jetë 1250 euro
- Me moton “çdo qytëtar, një mundësi”, çmimi i energjisë për biznesin e vogël ulet nga 18 lekë në 6 lekë, ulet me 10 fish çmimi për hapësirë publike, përgjysmohet tarifa e ujit.
- Pjesa tjetër e biznesit do të paguajë 10% tatim fitim, 15% TVSH dhe 6 lekë çmimin e emergjisë elektrike.
- Rikthim i taksës së sheshtë 10%
- Fermeri do të ketë pesëfishin e subvencioneve, njësoj si fermerët e rajonit. Subvencion për çdo fidan, për çdo kokë bagëti, për çdo njësi prodhimi.
- Kredi, duke paguar qeveria interesin për fermerët. Mbrojtje dhe subvencionim për të gjitha dëmet dhe fatkeqësitë natyrore.
- Çmimet e ndërtimit do të ulen. Një ndërtues që paguante 400 mijë lekë taksa, do të oaguajë 40 mijë lekë. Do të hiqet taksa sociale 3% dhe do të vendoset taksa 2% e kostos, më vend të 10% të çmimit të shitjes për sipërfaqen e ndërtuar.
- Çmimi i naftës do të ulet deri në 40% nga zhveshja prej taksave të rritura gjatë 12 viteve të fundit.
- Për mbrotjen e rinisë, do të vendoset arsim i mesëm i detyrueshëm, sepse analfabetizmi po rritet frikshëm dhe 25-30% e atyre që mbarojnë 9 vjeçaren nuk ndjekin më arsimin e mesëm.
- Universitet do të vendosen në partneritet me sipërmarrjen për aftësimin dhe punësimin e të rinjve.
- Krijimi i një Fondi Konbëtar për bizneset e reja, ku çdo i ri përfiton 5 mijë euro për biznesin e tij.
- Me moton “Ose mbahen të rinjtë, ose ecim drejt zhdukjes si komb”, qeveria do të paguajë sigurimet shoqëore për çdo të ri të punësuar, si dhe do të ulë taksat për sipërmarrjet që bën punësim të të rinjve.
- Do të dyfishohet buxheti për shëndetësinë dhe arsimin.
- Dyfishimi i rrogave për mjekët dhe infermierët dhe pajisja me aparaturat më moderne të spitaleve është zotimi i PD.
- Rrogat e mësuesve do të jenë më të lartat në rajon. Nuk do të ketë rrogë nën 1500 euro.
- Teknologjia e informacionit do të jetë e instaluar në çdo shkollë të Shqipërisë.
- Shqipëria Madhështore do të thotë shndërrim i vendit në epiqendër të teknologjisë më të lartë. PD solli Shqipërinë në epokën e internetit dhe Estonia do të jetë modeli për ketë objektiv.
- Zero tolerancë ndaj korrupsionit, luftë bandave, përfshirë edhe atyre që strehohen në Dubai, si ndarje e politikës nga krimi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.