Policia ka shpallur në kërkim tre persona si të dyshuar për vrasjen e dy kushërinjëve Mikel Jushi dhe Jani Jushi, në ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmjen e së dielës në qytetin e Laçit. Dy prej tyre, të identifikuar si Vincesk dhe Mikel Bushi rezultojnë persona me precedentë penalë, madje ky i fundi i shpallur në kërkim që prej 2013, ndërsa i treti është shtetasi Manuel Bushi.
Dyshohet se Manuel Bushi nuk ka marrë pjesë drejtpërdrejtë në ekzekutimin e dy kushërinjëve, por ka ndihmuar autorët për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.
Ndërkohë, dy autorët, edhe pse persona me precedentë penalë në të shkuarën dhe njëri prej tyre i shpallur në kërkim që prej 2013-ës i kanë shpëtuar policisë dhe lëviznin të pashqetësuar me armë në qytet.
Vinçesk Bushi, njohur edhe me emrin Vinçesk Pali rezulton si person i arrestuar në vitin 2017 për armëmbajtje pa leje. Gjatë procesit gjyqësor ai u dënua me 6 vite burg, por dënimi iu ul me një të tretën pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar. Edhe kohën e marrë nga gjykimi i shkurtuar nuk do ta vuante të gjithën, pasi lirohet për “sjellje të mirë në komunitet” sipas një letre të dorëzuar nga Bashkia e Kurbinit.
Skenari në këtë rast duket i njëjtë me atë të lirimit Lulzim Berishës, që me një kërkesë të ngjashme të Bashkisë së Durrësit la qelinë në pesë vite para kohe, kohë që është në liri me kusht.
Ndërkohë, rasti i Mikel Bushit është akoma më i rëndë. Ai ishte shpallur në kërkim që prej vitit 2013, për një ngjarje të ndodhur në 2012, ku nën kërcënimin e armëve kishte tentuar grabitjen e disa vajzave në një makinë pranë Kishës së Laçit.
Për kapjen e tij, policia ka ndërmarrë një aksion dy vite më parë, por gjatë ndjekjes, Mikel Bushi ka qëlluar me armë në drejtim të uniformave blu. Fatmirësisht në atë kohë nuk pati viktima, ndërkohë që policia u rikthye “duarbosh”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




