Njerez

Profili i individit të së ardhmes/ Sa të rrezikuar janë shqiptarët nga fenomeni i izolimit që po shqetëson botën?

Nga Sorgena Leka- Fenomeni Hiki i referohet një sjellje izolimi nga një individ që refuzon të dalë nga shtëpia (mbyllet në dhomën e vet), ka një mosinteresim për shumicën e aktiviteteve, braktis shkollën/punën dhe ka një varësi totale nga familja. Një person Hiki nuk ka një plan për të ardhmen dhe paaftësi për t’u kujdesur për veten (edhe ushqimin preferojnë ta marrin tek dera). Kryesisht kanë një model gjumi në të cilin qëndrojnë zgjuar gjithë natën dhe flenë gjatë ditës, një mënyrë për të shmangur takimin ose bisedën me dikë. Ata zakonisht luajnë shumë videolojëra dhe nuk kanë aspak ndërveprime sociale.

Psikologia klinike, Rudina Koromani ka shpjeguar për Gazetasi.al se kjo gjendje shqetësuese psikologjike shihet prej dekadash në vendet aziatike Japoni, Kore, Hong Kong etj si sindromë kulturore i quajtur Hikikomoris, por që po përhapet globalisht në vendet më të zhvilluara të botës e që mendohet se do jetë profili i individit të digjitalizuar modern në të ardhmen. 

Rudina Koromani, psikologe klinike. Gazeta Si, maj 2024

“Termi Hikikomori është një kompozim i fjalëve japoneze “hiki” (të tërhiqesh) dhe “komori” (brenda), duke iu referuar “njerëzve që izolohen nga shoqëria”. Hikikomori është një sindromë kulturore, e studiuar gjerësisht në Japoni, Amerikë e vende që po hasen me sfidat e këtij izolimi modern”, thotë Koromani.

Pragu klinik për diagnozë përcaktohet jo më pak se 6 muaj izolim i plotë.

Sa të predispozuar janë shqiptarët të preken nga ky fenomen në të ardhmen?

“Jo vetëm shqiptarët por edhe popullata me kultura të tjera rrezikojnë njësoj nga ky fenomen patologjik psikologjik, për faktin e përfshirjes globale në botën e digjitalizimit”, thotë Koromani, duke shpjeguar se sindroma ka dalë evidente nga vendet që kanë qenë të parat që janë përfshirë në integrimin e risive teknologjike.

Nisur nga ky arsyetim, thotë psikologia, të gjithë jemi të rriskuar teksa shohim rritjen e përqindjes së patologjive psikologjike në popullata vitet e fundit, rritje të vulnerabilitetit psikologjik individual, rritje të izolimit social kundrejt ndërveprimit real social, rritje të vështirësive në tregun e punës (mosgjetja e një pune apo sfidat për të mbajtur vendin e punës) si dhe ulje e vlerave morale shoqërore që janë rregullatori i garantimit të marrëdhënieve të shëndetshme shoqërore.

Disa individë, kur zhgënjehen nga marrëdhëniet shoqërore kanë predispozita të tërhiqet dhe ta vuajnë shumë këtë fakt.

“Ne në Shqipëri jemi integruar pak më vonë me koherencën teknologjike digjitale moderne, fakt i cili për fatin tonë të mirë luan rol pozitiv ku flasim për infektimin psikologjik nga fenomeni HIKI. Nga ana tjetër, nëse nuk i ruajmë ato elementë kulturorë identitare shqiptare për të cilat krenohemi se diferencohemi nga kulturat e tjera (si për shembull karakteristika e familjes së madhe dhe të bashkuar dhe rëndësia e respektimit të vlerave morale etike), riskojmë të prekemi njëjtë si të tjerët”, sqaron Koromani.

Koromani thotë se gjithçka është ndryshe në shekullin 21 për shkak të digjitalizimit, lëvizjeve të migrimit dhe erozionit ideologjik.

“Tashmë jetojmë në një shoqëri individualiste prej tre dekadash ku gara për mbijetesë sa vjen dhe ashpërsohet (njëjtë si në vendet e zhvilluara), e megjithatë disa tipare kolektiviste ende kanë mbetur në shoqërinë tonë, të cilat shpresoj ta vonojnë apo neutralizojnë procesin”, thotë psikologia.

Çfarë duhet të bëjnë njerëzit për të ulur shanset që në të ardhmen ta vuajnë?

Mbajtja e marrëdhënieve të mira sociale e familjare është baza për një garantim në termat afatgjatë të një shëndeti mendor shoqëror, por të qenit të fortë psikologjikisht është tashmë sfida e Individit në kohët moderne.

“Prindërit e sotshëm po rrisin fëmijë delikatë/të brishtë emocionalisht, të cilët thyhen me zhgënjimin e parë të hasur në jetën reale. Sa më të përgatitur të jemi për të tejkaluar shëndetshëm ngjarjet negative të jetës, aq më shumë garantojmë mirëqenien tonë psikologjike”, thotë Koromani.  

Cilat janë arsyet që fshihen pas sindromës?

 Koromani thotë se sipas studiuesve që kanë hulumtuar fenomenin HIKIKOMORIS, arsyet janë të shumta:

– Tiparet jo të përshtatshme të personalitetit(individët me tipare shmangëse, ankthioze e të varësisë të personalitetit)

–  Dinamika të pafavorshme të familjes (përfshirë prindërimin dëmtues, tepër liberal)

– Përvojat negative me bashkëmoshatarët apo në punë për rastet e të rriturve ( mjafton një konflikt i përjetuar si një turp apo dështim i madh dhe individi zgjedh të mos dali më nga shtëpia)

– Presionet shoqërore, (jeta sa po vjen dhe po bëhet gjithnjë e më sfiduese me ritmet e shpejta teknologjike që ka imponuar në ndërveprim- proces që jo të gjithë individët ndihet të aftë për t’i përdorur apo për ti përvetësuar si aftësi)

–  Përdorimi i tepërt i internetit dhe mediave digjitale (kur bashkëshoqërohen me përjetime negative si dështimet në performancë- instalojnë përforcim të dëshirës për të mos dalë nga shtëpia)

 – Ngjarjet traumatike, ndjesia e paaftësisë së vetes për tu integruar (ndihen të traumatizuar nga përvojat e kaluara dhe rezervat e shprehura për përballimin e sfidave të së ardhmes në botën reale),

– vështirësia për të hyrë në tregun e punës, mungesa e shpresës (ndjenja të paaftësisë për të jetuar në një botë kaq  sfiduese),

–  lodhje në marrëdhënie (vetmia është më pak e dhimbshme për ta sesa të merren me njerëz të tjerë)

Cilat grupmosha preken më shumë?

Psikologia tregon se adoleshentët dhe të rriturit e rinj të sapo dalë në tregun e punës janë kategoritë që preken më shumë nga ky izolim social HIKI.

Statististikat aktuale sugjerojnë se gjysmë milioni të rinj japonezë janë HIKI, si dhe më shumë se gjysmë milioni individë të moshës së mesme. Në Korenë e Jugut, vlerësimet variojnë nga rreth 350 mijë në mbi gjysmë milioni individë.

Disa studiues dhe klinicistë mendojnë se kjo formë sjelljeje patologjike e tërheqjes sociale është vetëm një simptomë e një sërë çrregullimesh të mëdha psikiatrike të listuara në DSM-5 aktuale (si për shembull, çrregullime psikotike, çrregullime depresive, çrregullime të ankthit social, agorafobia, çrregullime të personalitetit skizoid ose shmangës dhe  varësia nga interneti).

“Në përputhje me këtë mendim, koncepti i ‘Hikikomori sekondar’ është propozuar për të përcaktuar ato raste, sjellja e rëndë e tërheqjes sociale e të cilave është një manifestim i një nëntipi të një çrregullimi tjetër psikiatrik ose edhe pasojë e një çrregullimi primar psikiatrik. Studiues të tjerë sugjerojnë se një nëngrup i konsiderueshëm i rasteve paraqitet me karakteristika klinike që nuk plotësojnë kriteret për asnjë nga çrregullimet psikiatrike ekzistuese, prandaj, është sugjeruar që HIKI mund të konsiderohet si një çrregullim i ri psikiatrik primar në një version të ardhshëm të DSM (Manualit Diagnostik të çrregullimeve), pavarësisht se ka disa mbivendosje klinike me çrregullime të tjera”, përfundon Koromani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë