Portofol

Njollat e zeza të kontrollit: Si e vuajmë (pa)sigurinë ushqimore

A jemi në momentet kur me kontrollin e ushqimit në Shqipëri po luhen prapaskena të mëdha me qëllime korruptive dhe përfitime të padrejta?! Të gjithë jemi të ekspozuar nga rreziku i konsumimit të ushqimeve të pakontrolluara por situata duket alarmante dhe mjerane.

Kristaq Berxolli, profesor i Mjekësisë Veterinare në Universitetin Bujqësor të Kamzës ishte i vetmi zë i cili u ngrit dhe i kërkoi Ministrit të Bujqësisë që përpara se të zhvillojnë agroturizimin, shqiptarëve dhe turistëve të huaj duhet t’i ofrojmë garanci. Por në këto momente kjo në Shqipëri duket e pamundur, por jo pa rrugë zgjidhje. Në i bëmë disa pyetje profesorit i cili na befasoi nga faktet.

Si paraqitet situata e sigurisë ushqimore në vend?

Prof. Kristaq Berxholi
Kristaq Berxolli, Profesor i Mjekësisë Veterinare 

Siguria ushqimore është një nga problematikat më të rëndësishme,  jo vetëm tek ne, por edhe në shumë vende të botës. Të themi se situatën e këtij problemi e kemi të mrekullueshme, gënjejmë veten dhe të tjerët. Tek ne, ashtu si dhe ne vende të tjera, janë dy struktura që merren me këtë punë. Shërbimi veterinar dhe AKU. Secila ka detyrat e veta. Shërbimi veterinar përgjigjet për sigurinë ushqimore nga fusha deri në tavolinë, ndërsa AKU është përgjegjëse për garantimin e kësaj sigurie  nga tavolina tek goja e njeriut. Tek ne aktualisht, shërbimi veterinar është në paralizë të plotë.. Ka mëse një vit, që kjo strukturë ka një çorganizim të organizuar. Ka më shumë se një vit që bëhen përpjekje për ta gllabëruar këtë strukturë, që nëse ndodh kjo, ky do të jetë fataliteti më i madh në këtë vend. Ka më shumë se një vit, që në krye të kësaj strukture, nuk kemi një drejtues. Ka më shumë se një vit që pritet të dalë një  VKM e cila thuhet se do dalë nga qershori, gjë që unë nuk e besoj ende. Në këto kushte, siguria ushqimore është e pasigurt. Ende nuk kanë filluar vaksinimet sidomos kundër plasjes etj. Nuk dihet nëse kanë ardhur. Kur pritet të bëhen këto? Në vend që shërbimi veterinar të merret me  punët e tij reale, merret me gjetjen se sa lëkura ka në vend dhe telefonat e bizneseve. Nuk e di se kujt i intereson kjo punë se nuk është detyrë e shërbimit veterinar.

Po kështu, u eliminuan pikat e therrjeve me argumentin se nuk plotësonin kriteret. Kjo është e vërtetë. Ato nuk i plotësonin kriteret, se po ti plotësonin ato nuk do ishin pika therje, por thertore. Mirë u eliminuan ato pika që ishin ndoshta mizerie, për të cilën edhe unë jam dakort, por pse nuk u zëvendësuan me të tjera? Ku bëhen therjet tani? A e di kryeministri dhe ministri i bujqësisë se therjet tani bëhen rrugëve? Nëse më përpara kishte pak kontroll, tani mishi është pa kontroll fare. Në shërbim të kujt u bë kjo? E kështu mjaft të tjera. Në këto kushte, produkti nga fusha, shkon i pasigurtë në tavolinë.

Çfarë nuk bëjnë mirë institucionet kompetente?

Institucionet janë kompetente kur kanë njerëz kompetentë  brenda tyre. Unë mendoj se nuk është faji i njerëzve të aftë që aktualisht militojnë në to. Është faji i politikës dhe drejtuesve që kanë interesa krejt të ndryshme Këtu luftohet se si të gjenden moduset që të gllabërohen shërbimet nga privatet, dhe do të jetë krim i rëndë. Në asnjë vend të botës, strukturat kontrolluese të shërbimit veterinar dhe AKU, nuk janë private. Tek ne kjo punë kërkohet të bëhet. Këtu tek ne, vaksina kundër LSD është lënë të skadojë dhe vdekjet e lopëve të pavaksinuar vazhdonin. Le të kontrollojnë të shohin se cila është arsyeja e këtij problemi.

Ministria e Bujqësisë po jep grante për fermat që zhvillojnë agroturizmin, sa janë të sigurta ato ferma që operojnë  në vendin tonë?

Niveli i mbështetjes së fermerëve duhet të ulet më poshtë. Ne në këtë vend, kemi më shumë fermerë me nën 10 krerë se sa mbi dhjetë krerë. Mbështetja është e domosdoshme, por më duket se kriteret e vendosura, nuk janë shumë ofruese për fermerët.

Në vendin tonë, ende ka shumë probleme me fermat. Rasti i fundit qe ai ku kompleksi me 330 krerë doli me tuberkuloz. Kur kemi këtë infeksion në komplekse të nivelit të tillë, çfarë mund të themi për fermat që janë në zonat e thella të vendit? Ka disa vite, që nuk është importuar tuberkulinë, gjë që do të thotë se gjurmimi i tuberkulozit në rang vendi është i cenuar. Nga ky kompleks që unë fola, janë shpërndarë thuajse 1200 krerë me shqerra remonti, të cilat nuk dihet se ku kanë vajtur dhe nuk dihet se a kanë qenë të pastërta apo kanë patur infeksion? Nëse ato kanë patur infeksion, të jeni të sigurt se ai është shpërndarë në  thuajse tërë vendin.  Ky kompleks ka qenë për shumë kohë karantinë për gjedhët që vinin nga jashtë. Kjo është shkelje e rëndë e ligjit të shërbimit veterinar. Karantina, bëhet afër vendit të hyrjes së kafshëve. Natyrisht që nuk mund të bësh në çdo port, aeroport, apo  kufi karantine, por ka një rregull që zbatohet kudo. Kafshët, por edhe shpendët egzotike, kanë një apo dy pika hyrjeje  në vend, apo dhe tre. Në këto zona  bëhet karantina. Këto kafshë që gjoja për karantinë, kanë hyrë nga Durrësi dhe kanë bërë rrugën deri tek kompleksi, ku kanë ndenjur 30 ditë dhe të jeni të sigurt që kanë marrë infeksion, ku kanë vajtur? Kujto se   këto kafshë që kanë qenë në këtë kompleks me TBC, askush nuk e di. A ka evidenca për këto  gjëra? Ku është Ministria e Bujqësisë? Këto kafshë me siguri kanë vajtur nëpër ferma, po a janë të sigurta fermat mbas kësaj gjendjeje? Unë them jo. Ende shteti nuk ka bërë  kontroll të gjedhit të vendit për sëmundjen e TBC. Përse e zvarrit këtë problem? E kështu  edhe për problematika të tjera, ndoshta që nuk janë zoonotike. Unë po përmend dhe një moment tjetër. Shumë ferma  të dhive, të ngritura me dhi të importit nga Franca, Qipro, Çekia etj, janë të infektuara nga Artrit Encefaliti i dhive. Natyrisht që nuk është sëmundje zoonotike, por kecat e lindur nga këto dhi dhe që janë shitur për remont kanë shpërndarë sëmundjen në të katër anët e vendit. Fermat përsëri problematike. Këtë do ta vuajnë fermerët. Personalisht e kam ngritur zërin disa herë, por nuk mund të bëhet lakruar me krunde. Vetë fermerët ende nuk kanë pikën e interesit të bëjnë shëndetësimin e dhive të prekura. Ato shpërmdajnë remont të infektuar ende. Ministria hesht.

Në këto kushte, pa përmendur problematika të tjera, garancia e fermave nuk është e sigurt.

Keni ngritur disa herë zërin për çështjen e mishit të importit dhe brucelozës. Nga çfarë rrezikohemi? 

Po e kam ngritur disa herë, por edhe këtu ka interesa të mëdha. Mishi i importit duhet të vihet mbi baza të forta kontrolli. Asnjë ngarkesë nuk duhet të lihet pa u kontrolluar dhe produkti nuk duhet të shitet pa dalë analizat. Duhet të ushtrohet kontroll i fortë edhe për mishin që vjen nga vendet e Bashkimit Europian. Shumë vende të vetë BE-së e kontrollojnë mishin dhe produktet e tjera që vijnë nga vendet e tyre si motra, po ne  pse duhet të themi se na vjen nga stabilimentet e Europës dhe nuk duhet kontrolluar? Kjo thuhet për të eliminuar kontrollet. A nuk jemi ne dëshmitarë të problemeve të rënda në Europë? Nga vjen ky mish në Europë? Nuk vjen edhe nga stabilimentet e saj? Atëherë? Po kështu dhe mishi që vjen nga Brazili. Me një fjalë, në vendin tonë, duhet të kontrollohen detyrimisht të gjitha ngarkesat ngado që vijnë.

Por problemi i brucelozës në gjedhë është shqetësues. Së pari për faktin se bruceloza në gjedhë është e përhapur në zonat rurale, ku kemi mjaft raste në njerëz, ndërkohë që merret gjak dhe kontrollohen fermat që në përgjithësi janë të lira nga ky infeksion. Paradoks i pamend. Gjithashtu së dyti kemi një problem madhor. Tashmë është vërtetuar shkencërisht si në vendin tonë edhe jashtë që tek ne brucella melitensis, shkaktarja e brucelozës së të imtave, ka kaluar tek gjedhi, gjë e cila e komplikon më tej situatën. Ende për këtë nuk ka një strategji të mirëfilltë. Unë mund të përmend një rast. Në një fshat të Korçës, më duket në Hoçisht, nga 11 krerë të kontrolluar për brucelozë, 9 ishin pozitive, pra rreth 82%. Kjo është situatë e rëndë dhe e papranueshme. Folëm për një fshat, po në vende të tjera që ende nuk dihet se si është situata? Në këto kushte, bazuar në një strategji të pakuptimtë, vazhdohet me kokëfortësi të kontrollohen fermat dhe të lihen të zbuluara zonat rurale. Jo normale. Natyrisht rreziqet janë të mëdha. Unë aktualisht nuk e di sa raste pozitive  me brucelozë kemi në njerëz, por kjo situatë krijon kushte për përhapje të sëmundjes. Kemi zona që prodhojnë djathë e gjalpë me qumësht që nuk zihet mirë, që është traditë e zonave përkatëse. Këto janë mjaft të rrezikshme për përhapjen e sëmundjes. Kemi fshatarë që qumështin e shesin me bidonë, për të cilët u bë një zhurmë e madhe se do të ndalohej, por në fakt  ju e shikoni Të gjitha këto rrezikojnë shëndetin e popullatës.

Si duhet vënë nën kontroll  sipas jush siguria ushqimore?

Natyrisht që ka zgjidhje, por këto zgjidhje bëhen kur nuk ka interesa të tjera. Më së pari duhet futur në funksion shërbimi veterinar, i cili duhet të jetë prezent  në çdo zonë të vendit dhe nuk duhet të jetë nën kontrollin e privatit. Nuk flas këtu për shërbimin veterinar që merret me mjekimet etj. flas për inspektoriatin veterinar. Pa organizuar dhe konsoliduar këtë strukturë, nuk mund të zgjidhim asgjë. Në këtë strukturë të vihen në punë specialistët e mirë të cilët nuk i mungojnë këtij vendi. Edhe AKU-ja duhet të riorganizohet, të futen njerëz kompetentë e jo të hiqen se denoncojnë padrejtësitë. Këtë e thonë dhe vetë ata në krye, por në fakt nuk bëjnë asgjë. Atyre i interesojnë gjobat se sa puna efektive.

Profilaksia veterinare, sidomos për sëmundjet zoonotike, duhet të jetë prioritare. Gabimi i bërë për shkatërrimin e prodhimit vendas të vaksinave për gjurmimin dhe luftimin e sëmundjeve zoonotike ishte fatalitet, gjë e cila u bë për interesa meskine. Riaktivizimi I këtij prodhimi do të bëjë të mundur që me lekët që blihen vaksinat nga importi të prodhohen 4-5 herë më shumë, që do të thotë të kontrollohen dhe vaksinohen  shumë e më shumë krerë se deri tani. Këto prodhime ekziston mundësia që edhe të licencohen nga Institutet e referencës si INSTITUTI SANITAR SUPERIOR i ROMËS, që na ka në patronazh dhe kështu do të jenë  të standardizuara dhe të sigurta. Edhe këtu kushtet dhe njerëzit janë. Aftësitë nuk mungojnë, mungon interesi i politikës që i shkatërroi.

Bashkëpunimi i Minsitrisë së Bujqësisë me strukturat në vend si Fakulteti i Mjekësisë Veterinare, ISUV si dhe me Urdhrin e Mjekut Veterinar, të jeni të sigurt që  do ta shpjerë punën përpara pa diskutim. Të gjitha këto bashkë si dhe vlerësimi i aftësisë, do ta shpjerë punën përpara.

Intervistoi: Sabina Veizaj


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë