Lajme

Procedohen bashkiakët në Shëngjin, bllokohet një pikë karburanti

Sot operacioni ” Plazh i lirë” kundër informalitetit ka vijuar në plazhet e Shëngjinit dhe Velipojës.

Në plazhin e Kunes, Shëngjin janë liruar nga policia rreth 8000 m2 plazh i zënë në mënyrë të paligjshme, si dhe janë sekuestruar rreth 500 çadra e shezlongë.  Për këto shkelje janë proceduar nga Policia e Lezhës 5 përfaqësues ligjor subjektesh për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagim taksash”. Gjithashtu janë proceduar penalisht 2 drejtorë pranë Bashkisë Lezhë me akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Ndërsa në plazhin e Velipojës janë liruar rreth 2500 m2 plazh i zaptuar në mënyrë të paligjshme, si dhe sekuestrohen 235 komplete (shezlongë + çadra + karrige). Në Velipojë policia ka proceduar penalisht dy pronarë subjektesh që kishin zaptuar hapësirën publike në plazh.

https://www.facebook.com/1502420603377639/videos/2349319411849834/

Ndërkohë operacioni kundër informalitetit e evazionit fiskal ka vijuar edhe kundër një pike karburanti, të cilës i janë gjetur pompa në shkelje të ligjit. Është dërguar për procedim penal shtetasi P. G, i cili përmes subjektit “Gen Klaudis ShA”, që njihet me emrin tregtar “Gega Oil”, ka kryer evazion fiskal në përmasa të konsiderueshme.

Prokuroria nxori një urdhër ndalimi për këtë shtetas, i cili rezulton se është larguar nga vendi në datën 09.08.2019. Shtetasi P. G u shpall në kërkim për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” , “Ndryshimi në aparatet matëse” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë