Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra prokurorin e Prokurorisë së Tiranës, Adnand Xhelili.
Trupa gjykuese drejtohej nga Olsi Komici, me relatore Firdes Shuli dhe anëtare Brunilda Bekteshi.
Ai ka ngecur në vetting si pasojë e problemeve me pasurinë.
Problemet kryesore që dolën nga relatimi në seancë dëgjimore lidhen me dy pasuritë kryesore të familjes së prokurorit Xhelili, një apartament me sipërfaqe 117 m2 në Tiranë dhe një vilë trekatëshe në Borsh të Lukovës.
Relatorja Shuli ka shpjeguar se Xhelili e kishte blerë apartamentin si i pastrehë nga Enti i Banesave në vlerën 1.1 milion lekë dhe e ka shlyer për periudhën 1999-2005. Komisioni konstatoi mospërputhje të burimit të deklaruar në vitin 2003 me atë në deklaratën vetting, pasi në të parën është shënuar kredia, ndërsa tek e dyta kursimet familjare.
Mospërputhje në deklarata është konstatuar edhe për vlerën e apartamentit. Shuli theksoi se prokurori Xhelili nuk ka dhënë fillimisht shpjegime për këto gjetje, por pas përfundimit të hetimit ka dorëzuar prova të reja, të cilat do të vlerësohen gjatë vendimarrjes.
Adnand Xhelili u përball më 31 janar me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.
Prokurori Xhelili punon prej më shumë se 10 vitesh në Prokurorinë e Tiranës. Paralelisht me detyrën e tij si prokuror, Xhelili është angazhuar edhe në mësimdhënie si pedagog në një universitet privat.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




