Drejtësia

Problematikat e SPAK / Nga sulmet dhe presioni i jashtëm, te kërcënimi i prokurorëve nga krimi i organizuar

Gazeta Si – Kreu i SPAK, Altin Dumani gjatë raportimit të tij vjetor para KLP (Këshilli i Lartë i Prokurorisë), renditi disa nga problematikat me të cilat është përballur institucioni të cilin drejton.

Mes tyre, janë sulmet dhe presioni i jashtëm ndaj SPAK, si dhe vështirësitë dhe mungesa e ekstradimeve të shqiptarëve nga Dubai, të përfshirë në krimin e organizuar dhe pastrimin e parave.

Por ajo që veçoi, kreu i Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, janë rastet e kërcënimeve ndaj disa prokurorëve dhe agjentëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit. të cilat janë shtuar dhe po bëhen më shqetësuese.

“Prokurorët kanë qenë objekt kërcënimi nga krimi i organizuar. Rastet po bëhen më të shumta dhe më shqetësuese, – tha Dumani. – Por nuk mund të rri pa përmendur, angazhimin e Policisë së Shtetit në sa raste që prokurorët, gjyqtarët apo agjentët e BKH kanë qenë të kërcënuar nga krimi i organizuar. Sidomos me ndryshimet e dhjetorit 2023, për prokurorët e SPAK është siguruar një mbrojtje më e mirë fizike dhe deri tani Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat për ruajtjen e prokuroreve, apo familjarëve të tyre, kur janë ekspozuar nga kërcënime. Ne kemi ndjekur një strategji, disa prokurorë në çështje, apo disa agjentë, me qëllim pasjen e një grupi kompakt edhe në përballimin e këtyre kërcënimeve”, – theksoi ai.

Dumani kërkoi ndihmën dhe ndërhyrjen e vazhdueshme të KLP-së, si qeveria e SPAK-ut, për të ndërhyrë edhe te Kuvendi për zgjidhjen e problematikave të ndryshime që hasen, apo propozimet konkrete.

“Problematika e parë, presioni i jashtëm ndaj institucionit. Pastaj, mungesa e një statusi të qartë ligjor të prokurorëve të SPAK pas mbarimit të mandatit dhe numri i ulët i referimeve nga institucionet publike, – vëren Dumani si problematika të SPAK. – Sfidë do të mbetet për SPAK, krijimi i njësisë së analizës, e cila deri tani nuk është ngritur, por punojmë edhe me ekspertët ndërkombëtarë me qëllim ngritjen e një sistemi analize sipas një modeli bashkëkohor, i cili do të vijë në ndihmë të institucionit tonë. Shumë mirë mund të thuhet pse nuk është ngritur më parë, por është një institucion i ri dhe çdo gjë ka kohën e vet dhe vlerësojmë që tani është koha që të kemi një sistem analize dhe marr në konsideratë këtu punën e këtyre 5 viteve dhe lind nevoja për krijimin e kësaj njësie të analizës”.

Kryeprokurori shtoi se “viijon të mbetet problematike statusi i specialistit ndërlidhës në sektorin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe hetimet e përbashkëta, i cili trajtohet si nënpunës civili bazuar në ligjin 95 të vitit 2016. Vijon të mbetet e paadresuar, mungesa e ushtrimit të kompetencës për shqyrtimin e kërkesave të huaja lidhur me njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve penale të huaja në Shqipëri në ngarkim të shtetasve shqiptarë për veprat penale për të cilat Prokuroria e Posaçme ka kompetencë”.

Një tjetër problematikë sipas tij, është, “mungesa e kompentecave lëndore e Gjykatave të Posaçme për shqyrtimin e kërkesave në fazën e ekzekutimit të vendimit penal për subjektet e posaçme. Vazhdon të mbetet problematike çështja e ekstradimit të shtetasve shqiptar të lokalizuar apo arrestuar në Emiratet e Bashkuara Arabe”, tha Dumani.

Në tryezën para “qeverisë” së prokurorëve, kreu i SPAK nuk harroi të ripërsërisë kërkesën e tij që prokurorëve të posaçëm t’u jepet mundësia e rikandidimit pas përfundimit të mandatit 9-vjeçar, por në asnjë rast riemërim në mënyrë automatike.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë