Vende dhe Udhetime

Prishtina, kryeqyteti i paradokseve me orar të kufizuar

Në orën 22:00, Prishtina ndalon! Ora policore e mban pezull deri në 05:00 të ditës së nesërme. Por bizneset e mbyllin derën gjysmë ore më herët. Ora 21:30 i gjen kafenetë e mbyllura, qytetarët në shtëpi dhe transportin pushim.

“E mbyllim më herët shkak i pandemisë. Përndryshe kemi penalitete nga organet e sigurisë”,- thot  baristja e një kafeneje me staf të përbërë 100% nga vajza, teksa u bën thirrje të gjithë klientëve për t’u ngritur sepse “është koha me shku”.   

Për pak minuta rrugët shpopullohen.

Këtu nis ndryshimi i parë dhe i dytë me Tiranën, aty ku ora policore nis pas afatit zyrtar,  ose ndoshta fare. Aty ku gjobitet një biznes që e kap ora 23:00 duke mbyllur derën dhe 2 km më lart, është një lounge bar, me njerëz aspak të thjeshtë,  që qëndron hapur deri në agim. Kryeqytetet shqiptare afër dhe larg njëra-tjetrës.

Ndryshimi tjetër është se, në Prishtinë,  nuk të ndodh të rastisësh këmbësorë apo shoferë pa totemin e viteve të fundit, pa maskën kirurgjikale. Në Tiranë, nëse del  në ambjente publike me maskë do të fitosh një shikim të shtrembër dhe ndonjë teshtimë nga personi ngjitur…

Prishtina dhe Tirana bëjnë kompromis në jetën e natës dhe ndërtimet pa leje.

Gjatë mbrëmjes, përgjatë rrugës që të çon n’Shesh (sheshi Nëna Terezë) numërohen rreth 7-8 kafene, nga të cilat 3 janë të mbipopulluara, me njerëz që duken sikur po pijnë nga e njëjta gotë. Po, pak a shumë si tavolinat në kafenetë në Rrugën e Elbasanit në Tiranë apo si ato tek sheshi gjatë Euro2020.

Në kontrast, ngjitur me kafenetë e mbipopulluara, janë 4 të tjera. Bosh! Pa e menduar dy herë, beson se është kafene e mbyllur deri sa shikon kamarierin e mbështetur në banak duke u marrë me celularin, në mungesë të klientëve. 

Nga dy javë, që kur në Kosovë hynë në fuqi masat e reja, qindra biznese janë penalizuar dhe që nga fillimi i pandemisë qindra të tjera janë mbyllur.

“Ata firmosin përditë letra, po ndihmë ekonomike nuk kemi parë”,-shprehet me të qeshur Butrinti, menaxher në biznesin e familjes së tij,  duke ironizuar Paketën e Ndihmës Ekonomike të qeverisë në Kosovë.

Kushëriri i tij që ishte pjesë  e bisedës tregon se shkon në hotelin  që ka bashkë me të vëllain disa herë në muaj, vetëm për ta pastruar sepse që nga vala e parë  e pandemisë, nuk është më i hapur.

Nëse të duhet të lidhesh me prishtinas e të rrethohesh nga to, do të mërzitesh deri në të qeshur nga tog-fjalëshi “kaos urbanistik” . Lidhur kjo me 55 mijë ndërtimet e rrëmujshme dhe të paligjshme brenda unazës urbane të qytetit.  Me 127 mijë makinat që nuk kanë vende parkimi dhe me trafikun e rënduar Çdo ditë. Probleme që sipas qytetarëve  e kanë “errësuar Prishtinën” dhe nuk gjejne dot përgjigje se pse drejtuesit e saj e kanë pasur gjithmonë të vështirë të bëjnë diçka për të. 

Prishtina duket një qytet paradoksal. Më i ndoturi në Ballkan, i paralelizuar me qytetet kineze dhe të duhet të ecesh nga ana në anë të qytetit për të hedhur mbeturinat që ke mbajtur në dorë gjatë gjithë rrugës, në një nga 3 koshat e mbeturinave, të vendosur rresht.

Një qytet me 55 mijë ndërtesa pa leje brenda qytetit, por vetëm 7.8% e të gjithë sipërfaqes në total është zonë urbane. 

Prishtina, me pak para të ofron  shërbime cilësore (përfshirë edhe mirësjelljen). Produktet e konsumit, tekstilet apo shërbime të ndryshme janë të përballueshme dhe më të ulëta krahasuar me Tiranën.  Paga mesatare bruto në Kosovë llogaritet si më e ulëta në Europë gjatë 2020-s, me 466 euro, me rënie me 11 euro nga viti 2019.

Sipas disa analizave, në Prishtinë nuk ekziston shtresa  e mesme, është vetëm ajo e larta dhe shtresa e varfër.

Nëse bëjmë një analizë të detajuar të dy kryqyteteve shqiptare, Tirana mund të marrë më shumë pikë, por Prishtina të merr zemren. Nuk mund të gjesh në një qytet të vetëm, atmosferë nga çdo cep i  Ballkanit, ushqim të shijshëm dhe njerëz që të duan edhe më shumë pasi i thua se je nga Shqipëria.

Prishtina, kryeqyteti i paradokseve!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë