Njerez

Prindërit shqiptarë, të etur për famë – Fatalisht furnitorë të pedofilëve

Nga Gisela Troplini - Dorina, një nga mamatë më të famshme në TikTok-un shqiptar, njoftoi pak kohë më parë se do të hiqte çdo video që ka me vajzën e saj të vogël në rrjetet sociale.

Duke arsyetuar vendimin e saj, Dorina tregon e shokuar se pjesa më e madhe e audiencës së saj ishin burra të një moshe të madhe, të cilët ndiqnin dhe ruanin videot e fëmijës së saj.

“Shtysa filloi nga një video, kur unë dhe vajza kishim bërë një trend TikTok-u dhe numri i personave që e kishin ruajtur atë video ishte shumë i lartë. Kur u futa ke lista e njerëzve që kishin bërë save, një pjesë shumë e madhe ishin meshkuj, burra. Nuk ka sens ta bëjnë burrat. Ku i nxirrja unë fëmijët e mi!”, shprehet Dorina në video teksa i bën thirrje të gjitha nënave të mos ekspozojnë fëmijët e tyre në rrjete sociale.

Kontaktuar nga Gazetasi.al për koment, Dorina nuk është përgjigjur.

TikTok, aty ku strehohen pedofilët

Padashur dhe paditur, prindërit “influencer” në TikTok dhe jo vetëm bëhen të preferuarit e pedofilëve, të cilët përballen me imazhe dhe video të pafundme fëmijësh. Edhe pse pamjet mund të mos kenë nota seksuale, ato i shërbejnë më së miri një pedofili, analizon psikologia klinike, Manolita Hida.

“Pedofilët online të cilët qëndrojnë vetëm në stadin e vëzhguesit, nëse nuk kanë akses ndaj pornografisë me fëmijë, fillojnë të “ushqehen” me fotot dhe videot e fëmijëve “influencer” dhe jo vetëm, të cilat gjenden rëndom në rrjete sociale. Këto foto apo video për prindin apo fëmijën mund të mos kenë ngjyresa seksuale, por për pedofilët fëmija është thjesht objekt i cili përmbush nevojat e tij/saj, ndaj në foto ai/ajo do të shohë një imazh i cili ndez fantazitë seksuale. Ndonëse p.sh.: mund të konsiderohet e pafajshme një foto ose një video e fëmijës duke ngrënë ushqim, për pedofilin kjo aktivizon dëshirat seksule duke vendosur zonën e gojës dhe buzëve të fëmijës në plan të parë të fantazisë së tyre. Gjithashtu fotot e fëmijëve lakuriq, ose gjysmë lakuriq, qoftë edhe me rroba plazhi për gjysmën e poshtme të trupit, janë material i volitshëm për një pedofil online. Seksualizimi i veshjeve të fëmijëve, veshja e rrobave që nuk janë normale për një fëmijë, dhe hedhja e fotove në rrjet, i ekspozon gjithashtu ndaj pedofilëve seksualë online”, shpjegon Hida për Gazetasi.al.

Sipas psikologes adresat pretendohen se menaxhohen nga prindërit në një pjesë të rasteve por kjo nuk përjashton as rastet në të cilat vetë të miturit të kenë profilet e tyre, dhe prindërit të dinë pak ose aspak mbi këtë.

Psikologia Hida, tregon për Gazetasi.al se rrjetet sociale mund të kthehen në një parajsë për abuzuesit dhe një ferr për të miturit.

“Rrjetet sociale i ofrojnë pedofilëve online material të lirë, të pacensuruar të cilin ata mund ta shohin, mund ta marrin dhe ta përdorin sipas dëshirës së tyre. Fotot apo videot e hedhura në rrjete sociale mund të merren dhe mund të hidhen në Dark Web më tej, prej pedofilëve online.  Nëse më parë interneti ka qenë i kufizuar, dhe në një formë “rreziku” ka qenë jashtë mureve të shtëpisë, tashmë me përdorimin masiv të tij, në rrjete sociale apo kanale komunikimi me video, rreziku është tashmë brenda shtëpive të gjithsecilit nëse nuk ka një kontroll të qenësishëm dhe marrëdhënie prind-fëmijë është problematike dhe jo efektive”, thotë psikologia Hida.

Manolita Hida, Psikologe klinike/gazetasi.al

Ajo shton se shkëmbimi apo tregtimi i imazheve online është dhunim i dyfishtë për viktimat dhe riviktimizimi ndodh çdo herë që këto imazhe dhe video shihen. Hida paraqet të dhënat e trishta që raportojnë se 1 në 10 fëmijë abuzohet seksualisht. 78 shtetas kanë qenë të burgosur për vepra seksuale me të mitur deri në dhjetor 2023 në burgje shqiptare.

Edhe Elidon Shehu, psikolog pranë drejtorisë vendore të Policisë së Shtetit, thotë se sipas rasteve të përditshme, dhuna seksuale online strehohet në Telegram dhe TikTok thotë Shehu, me anë të imazheve foto dhe video.

“Mbi 800 raste janë raportuar dhe 50% e tyre janë nga grupet në Telegram. Ka një rritje të rasteve të dhunës dhe në 'TikTok'. Llogaritë mbyllen nga AKEP pas procedimit dhe vendimit të gjykatës. 85% e këtyre personave përdorin numra të huaj për të hapur llogari virtuale dhe gjurmimi bëhet më i vështirë, por shumica e tyre kapen me sukses”, tregon Shehu për Gazetasi.al.

AKCESK Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve gjatë vitit 2022 ka raportuar në Portalin Online 25 faqe me përmbajtje të paligjshme të cilat janë evidentuar në rrjetet sociale dhe youtube

Edhe shifrat mbështesin këtë shqetësim, TikTok një fole për pedofilët. 41% e sulmeve kanë ndodhur në këtë rrjet social, ndjekur nga Instagrami me 26% dhe Facebook-u me 19%.

Të dhënat statistikore nga organizata CRCA tregojnë se fenomeni është i përhapur gjerësisht në rrjetet online të Shqipërisë.

Në vitin 2022, ngacmimi dhe shfrytëzimi seksual online i fëmijëve ishte incidenti më i përhapur në rrjet, ndërsa në 2023-shin vendin ia zuri bullizimi. 

Raporti për dhunën online, publikuar nga platforma Isigurt.al tregon se përmbajtjet pornografike të fëmijëve janë sulmi më shpesh i raportuar gjatë 2023-shit, 44 herë. 77% e rasteve janë raportuar nga djem dhe 23% nga vajzat.

Sipas grafikut, me incidente të llojit sexting, mesazhe/foto me përmbajtje seksuale janë përballur vetëm vajza. Po ashtu edhe në incidente me postim të fotove personale apo shantazhe, dominojnë viktimat vajza. Gjithsesi siç thekson CRCA, gjinia nuk është gjithmonë përcaktues i sulmeve.

62% e incidenteve gjatë 2023-shit, janë raportuar nga vajzat, kryesisht të moshës 15-18 vjeç, të ndjekur nga ata të grup-moshave 18-30 vjeç dhe 11-14 vjeç.

Në punën e tij të përditshme, psikologu Shehu thotë se vajzat janë viktimat më të shumta të abuzimit, por ka një rritje dhe të rasteve të raportuara nga djemtë.

Përgjatë vitit 2022 pranë platformës iSIGURT.al janë bërë 150 raportime për 243 faqe. Të dhënat tregojnë se në 46% të rasteve faqet, profilet apo videot e raportuara janë mbyllur, ndërsa rreth 44% e tyre janë ende të hapura online.

Identikiti i një abuzuesi përtej ekranit

Raportimet për dhunë seksuale nga fëmijët përfshijnë burra të grupmoshave 19-24 vjeç, 25-34 vjeç, 55-64 vjeç. Për shkak të mundësive që rrjetet sociale ofrojnë në favor të fshehjes së identitetit, është vështirë të bësh një profil të abuzuesve, por jo e pamundur.

Psikologu Elidon Shehu, krijon për Gazetasi.al identikitin e një abuzuesi. Shehu i ndan në dy kategori sipas moshës.

Të parët janë të rinjtë deri në 22-vjeç që në shumicën e rasteve shfaqin problematika të personalitetit, frustrimit dhe janë të vetmuar. Por këta të rinj, thotë psikologu Shehu jetojnë në një botë virtuale dhe kjo është “arma” e tyre duke nisur kështu një zinxhir vjedhjesh të dhënash, fotografish e rrjedhimisht shantazhim të vajzave të reja.

Tipologjia e dytë e abuzuesve është ajo e një moshe më të madhe, 50-65+ vjeç të cilët kanë pikërisht moshën si “armë”.

Shehu e quan “manipulim moshe” taktikën që përdorin këta abuzues për t’ju afruar fëmijëve, të cilët i ndjejnë si nipërit e mbesat e veta. Për shkak të moshës edhe prindërit manipulohen thotë psikologu Shehu. Në shumicën e rasteve ai tregon se abuzuesit e këtij grupi kanë një status social të lartë, me punë dinjitoze dhe të ardhura të konsiderueshme.

Elidon Shehu, psikolog pranë drejtorisë vendore të Policisë së Shtetit/gazetasi.al

Psikologia Hida tregon se pedofilët veprojnë në komunitet dhe aty ku ka një pedofil ka një grup pedofilësh.

“Të dhënat tregojnë se një pedofil seksual, nuk është asnjëherë i vetëm, qëndrojnë në grupe dhe komunitete të tyret, dhe shpërndajnë materialet online. Në jo pak raste në Shqipëri, viktimat e abuzimeve seksuale kanë qenë të filmuara dhe imazhet janë përcjellë në mjete të tjera komunikimi, duke rritur numrin e abuzuesve. Pra, për një abuzues online, imazhi grafik nuk është më i mjaftueshëm, videoja të cilën kanë, nuk është më e mjaftueshme, ndaj ato kalojnë tek viktima e tyre dhe kryejnë aktin seksual. Në këtë formë, nga pedofil online kthehet në pedofil offline”, tregon psikologia Hida.

Hida tregon strategjinë e një pedofili, hap pas hapi.

“Pedofilët online mund të jenë persona të njohur ose jo për fëmijën dhe familjen e fëmijës, por ajo për të cilën sigurohen më së miri është që në asnjë moment të mos tregojnë identitetin e tyre të vërtetë pa siguruar atë çka duan. Një pedofil online i cili përpiqet të vendosë kontakt me fëmijën, synon të fitojë besimin e fëmijës. Pedofili online mund të marrë një identitet tjetër përballë fëmijës, të shtiret sikur është dikush tjetër, derisa besimi të jetë fituar, të shtiret se pëlqen të njëjtat gjëra që pëlqen dhe fëmija, mund të përgëzojë fëmijën për aspekte të ndryshme, mund të tentojë të japë dhurata, dhe pasi të jetë vendosur marrëdhënia pedofili online do të tentojë ta orientojë bisedën nga seksi. Fëmija mund të vendoset në pozita të atilla në të cilat i dërgon foto apo video pedofilit online, i cili nga ana tjetër, mund t’i përdorë për ta detyruar që të kryejë edhe veprime të tjera ose që ta takoj. Një ndër kërcënimet më të shpeshta mbetet frika se do t’i tregohet të tjerëve e veçanërisht familjes. Kjo e mban fëmijën të lidhur ndaj pedofilit online” tregon plot detaje psikologia duke theksuar se një pedofili i mungon insajti (të kuptuarit e sjelljes së tyre dhe se si kjo sjellje prek dhe dëmton të tjerët, në këtë rast fëmijën) mbi sjelljen e kryer prej tyre.

Në përfundim të analizës së saj, psikologia klinike, Manolita Hida retorikisht pyet:

“Ende mendon se është gjithçka në rregull nëse e ekspozon fëmijën tënd në rrjet?!”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë