Nga Gazeta Si - Flitet gjithmonë për të drejtat e fëmijëve por a nuk duhet të ‘prezantohen’ fëmijët edhe me detyrimet e tyre, me pasojat që kanë veprimet e tyre dhe të mësohen me kufijtë?
Ngjarja e djeshme pranë shkollës “Fan Noli” ku një 14-vjeçar vrau me thikë bashkëmoshatarin e tij, ka tronditur gjithë vendin, por ka nxjerrë në pah edhe një problematikë të madhe në shoqërinë tonë, siç është mungesa e rolit të prindërve në mirërritjen e fëmijëve dhe mungesa e vëmendjes së tyre në sjelljet e tyre.
Elona Mustafaraj, psikologe e të rinjve thotë për Gazetasi.al se prindërit duhet të jenë më të pranishëm në rritjen dhe edukimin e fëmijëve, duke përdorur edhe disiplinimin me kufij të mirëpërcaktuar.
“Shpesh këta kufij janë shumë të brishtë, lëvizin lehtësisht dhe shkaktojnë konfuzion. Edukimi është një proces që nuk nis në adoleshencë por shumë më herët dhe që ka vijimësi dhe si i tillë duhet të jetë i qëndrueshëm në metoda apo modele”, thotë Mustafaraj. Ajo shton se shikon një humbje të komunikimit dhe ndoshta qëllimit primar që ka familja, që është procesi i edukimit, duke ia deleguar komplet problematikën shkollës apo institucioneve arsimore.
“Familja duhet të jetë shumë vigjilente ndaj reagimeve apo mënyrës se si fëmijët vendosin të zgjidhin problematikat. Mënyra se si fëmijët adresojnë edhe konfliktet më të vogla është një tregues për mënyrën se si ata pretendojnë që t'i zgjidhin konfliktet në tërësi, edhe ato të mëdhatë. Ka një model që fëmija ka ndjekur në vijimësi për të shkuar tek ky konflikti i madh. Ka veprime që tregojnë temperamentin dhe mënyrën e atij fëmije për të zgjidhur problematikat”, shpjegon Mustafaraj.
Ajo shpjegon se të gjithë, por sidomos prindërit, kanë humbur rolin e tyre edukues.
“Kanë kaluar të gjithë tek puna për efekt të pasurimit, ndoshta tek përpjekja për të patur një mirëqenie dhe është zbehur roli që prek edukimin dhe të mësuarit të sjelljeve pozitive apo të ndjenjës komunitare”, thotë Mustafaraj, duke shtuar se familja duhet të mbajë përgjegjësi për mënyrën se si e kanë përqasur zgjidhjen e konfliktit apo mënyrën e monitorimit në procesin e edukimit. Thënë kjo, prindërit duhet të vënë kufij dhe ti mësojnë fëmijët që çdo veprim ka një pasojë, që vetë fëmija duhet ta kalojë.
Psikologe E.Hoxha thotë ndërkohë se familja dhe shoqëria janë në një krizë të thellë vlerash.
“Autoriteti prindëror është më i zbehur sot se më parë dhe mungojnë praktikat e shëndetshme të prindërimit mbi vendosjen e kufijve tek fëmijët në atë mënyrë që të balancohet nevoja e tyre për autonomi , respekti për dinjitetin e tyre, por dhe kontrolli sistematik dhe kultivimi i ndjenjës së përgjegjësisë tek ta”, thotë Hoxha për Gazetasi.al.
Të gjitha strukturat duhet të mbajnë përgjegjësi për pjesën që u takon
Dy psikologet sqarojnë se në ngjarje të tilla ka shumë për të fajësuar, duke nisur nga prindërit, shkollat, të gjitha institucionet arsimore, shoqëria dhe rrjetet sociale...
“Na ka prekur një indiferentizëm global dhe të gjithë kemi humbur nga roli ynë edukues”, thotë Mustafaraj.
Ndërkohë psikologe Hoxha shpjegon se shoqëria shqiptare është kriminalizuar në kuptimin që kultura e dhunës është më e përhapur e kjo për shumë faktorë. Zakonisht qëndrimet pro dhunës apo shkeljes së ligjit në adoleshencë shfaqen edhe si pjesë e rebelizmit, tipike në këtë moshë. Kur mjedisi përreth, komuniteti, moshatarët që shkelin ligjin apo që thyejnë shpesh normat e rregullat (si grindje, mungesa të shpeshta në shkollë etj) si dhe për shkak të efektit të medias sociale e sidomos Tik-Tok-ut ku promovohen modele këngëtarësh apo personash të famshëm që thyejnë ligjin; këto qëndrime e besime pro dhunës përforcohen më shumë.
“Në këtë kuptim, adoleshenca është një moshë delikate ku priten këto dukuri prandaj është normë marrja e masave parandaluese. Kur ekziston dijenia për konflikte të mëparshme si në rastin konkret, atëherë duhet kujdes aktiv dhe i shtuar përmes të cilit kjo do ishte parandaluar”, tregon psikologia.
Përpos kësaj, tregon psikologia, strukturat që koordinojnë punën me njëra-tjetrën për edukimin e të rinjve si shkolla, njësitë e mbrojtjes së fëmijëve, familja si njësi sociale, qendrat e edukimit rinor, terrenet sportive, klubet e talenteve (që duhen integruar në shkolla), kurrikulat , autoriteti i mësuesve etj, të gjitha këto duhen përforcuar me nisma konkrete.
Ndërsa psikologia Mustafaraj thotë se pjesa më e madhe janë edhe konflikte që nisin nga rrjetet sociale dhe pastaj përshkallëzohen në mjediset reale.
“Ajo që të bën përshtypje në këtë rast është se kërkesa për zgjidhje është drejtuar tek bashkëmoshatarët dhe jo tek institucionet apo prindërit çka do të thotë se ka edhe një mungesë besimi apo komunikimi për nevojën për të zgjidhur një problematikë”, thotë psikologia, duke shtuar se mënyra se si nxënësit zgjedhin që ti zgjidhin problematikat shkon përtej agresivitetit, shkojnë deri në krime të paramenduara sic është gjetja e një arme të ftohtë krimi që do të thotë se qëllimi është që të dëmtohet personi tjetër dhe as nuk është tek efektet e mbrojtjes.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.