Nga Lorina Mixha - Fëmijët apo nuset që janë bërë gati të dërgojnë vjehërritë në shtëpi të mosharish tani duhet të mendohen dy herë. Të moshuarit të cilët kanë të afërm dhe nuk janë të braktisur, nuk do të pranohen në institucionet e përkujdesit pasi ka të tjerë të cilët kanë më shumë nevojë për këto lloj shërbimesh. Një vendim i Këshillit të Ministrave që do të hyjë në fuqi brenda pak kohësh, ndryshon kushtet e pranimit të të moshuarve: Të gjithë ata që zotërojnë pronë, që kanë pension të lartë, që kanë llogari bankare dhe kanë nevojë për përkujdesje, nuk do të regjistrohen në azile por do e marrin shërbimin në shtëpi. Në raste kur kanë nevojë për infermier, për kujdes psikologjik, për shërbim mjekësor do ta kenë specialistin në shtëpi.
Për të përmbushur të gjitha këto kërkesa pranë banesave të të moshuarve, do të jetë pushteti vendor, bashkia që do të përgjigjet.
Ndërkohë që në mbledhjet që shërbimi social shtetëror ka pasur me drejtues të institucioneve, shtëpive të moshuarve, është në fazë diskutimi edhe »sekuestrimi« i pronave për të gjithë ata të moshuar të braktisur të cilët kanë prona por jetojnë në institucion.
Sipas statistikave, një pjesë e madhe të moshuarve që qëndrojnë në institucione kanë fëmijë, nipër e mbesa, të afërm por askush nuk dëshiron të kujdeset për ta.
Të tjerë janë larguar me dëshirë pasi nuk shkojnë mirë me fëmijët apo nuset e djemve. Shumë pak prej të moshuarve janë të vetmuar, që nuk kanë askënd, që nuk janë martuar dhe nuk kanë trashëgimtarë.
Të gjithë këta në shumicën e rasteve kanë shtëpi të cilat u janë prishur, kanë prona të vogla apo të mëdha të cilat duan t'i gëzojnë fëmijët pa dashur që të kujdesen për prindërit.
Ndërkohë që ka edhe nga ata prindër që i kanë fëmijët VIP-a, mjekë, doganierë, gazetarë apo edhe adminsitratorë në institucione shtetërore e private.
Kështu në mbledhjet e fundit të drejtuesve të institucioneve të përkujdesit për të moshuar, është hedhur propozimi për një projektvendim, i cili të kushtëzojë të moshuarit që qëndrojnë në azile, t'i japin shtetit pronën për administrim, njësoj siç ndodh edhe në vendet e zhvilluara europiane.
Sakaq, vendimi i ri i Këshillit të Ministrave që hyn në fuqi pa u mbyllur viti kalendarik 2018, sqaron me detaje sesi do të ofrohet kujdesi për të moshuarit në shtëpitë e të moshuarve, në qendrat ditore apo edhe në shtëpi. Secila kategori që do të qëndrojë në njërën prej këtyre alternativave, do të ketë rregulloret dhe kushtet e nevojshme për të pranuar të moshuar.
»Shërbimet në familje janë shërbimet e kujdesit shoqëror që ofrohen në familje për të moshuarit dhe persona me aftësi të kufizuara, të cilët e kanë të pamundur të marrin shërbime ditore komunitare apo rezidenciale të cilët e kanë të pamundur të kujdesen për veten dhe nuk mund të ndihmohen nga familjarët apo kujdestarët personal«, thuhet në vendim.
Kërkesat e adminsitratorëve të azileve kanë qenë të vazhdueshme për të marrë masa për të gjithë ata të moshuar që janë të sëmurë si fizikisht edhe mendërisht, për gjetjen e një zgjidhjeje, pasi vitet e fundit çdo ditë e më shumë azilet po merrnin formën e spitaleve të përgjithshme apo shërbimeve neurologjike dhe psikiatrike për shkak të numrit të lartë të të moshuarve me çrregullime të shëndetit mendor.
Në vendim shkruhet se shërbimi strehëza për të moshuarit përfitohet nga ata që plotësojnë këto kritere:
Kanë mbushur moshën e pensionit, përfitohejnë pension social ose mnimal, nuk zotërojnë banesë apo llogari bankare, janë të vetmuar dhe të braktisur. Verifikimet kryhen nga punonjësi social në njësinë e qeverisjes vendore si për vlerësimin, ashtu edhe për referimin e rastit.
Sipas vendimit shërbimi në shtëpi do të përfshijë:
Shërbime rehabilitimi, zhvillimi, këshillim psikologjik e ligjor sipas rastit, shpërndarje të ushqimeve të gatshme në shtëpi, dhënien e medikamenteve sipas recetës së mjekut apo shërbime të tjera të kujdesit të shëndetit.
Poashtu shërbimi në banesë përfshin ndihmën për mbajtjen e higjienës personale, përmbushjen e nevojave të përditshme sipas vlerësimit rast pas rasti.
Në qendrat ditore do të ofrohet, mbështetje psikologjike, kujdes shëndetësor, aktivitete të kohës së lirë si dhe përfshirje në komunitet dhe sigurim ushqimi. Shërbimi 72 orësh u ofrohet atyre të moshuarve që janë të braktisur në rrugë, që kanë nevojë për asistencë të menjëhershme. Të moshuarve në këtë rast u ofrohet akomodim, ushqim, mjedis i mbrotjur.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.