Njerez

Prindërit e fëmijëve me autizëm kërkojnë t’u njihet kujdestaria si vite pune

Nga Gazeta Si- Në Shqipëri, çrregullimet e spektrit të autizmit përbëjnë rreth 26% të numrit të përgjithshëm të fëmijëve me aftësi të kufizuar. Prindërit e këtyre fëmijëve shpesh herë kanë ngritur zërin për problematika të ndryshme që hasin, si në shkollë ashtu edhe në komunitet.

“Vajza ime është 11 vjeç dhe është diagnostikuar me autizëm joverbal që në moshën 3 vjeçare. Deri para pak vitesh e kisha më të thjeshtë të menaxhoja punën, familjen dhe vajzën por tashmë është bërë e pamundur”, tregon për Gazetasi.al Arjona L, një 34 vjeçare e cila tashmë është detyruar të lërë punën me kohë të plotë për t’u kujdesur për vajzën.

“Dy vitet e fundit është bërë edhe agresive dhe unë jam e vetmja që mund ta qetësoj. Në shkollë shpesh herë më marrin në telefon që të shkoj ta marr sepse nuk dëshiron të qëndrojë. Nuk luan me fëmijët e tjerë e as nuk dëshiron të bëjë detyra apo aktivitete të tjera”, thotë ajo, duke shtuar se për të, do ishte e udhës që të merrte një pagesë në fund të muajit, si kujdestare e vajzës.

Këtë kërkesë e kanë edhe prindërit e tjerë, e për pasojë, prindërit janë bërë bashkë për t’i kërkuar Kuvendit njohjen e kujdestarisë si vite pune.

Në ditët në vijim, me kërkesë të Eglantina Bajramit, kryetarja e Klubit kombëtar të prindërve me fëmijë me spektrin e autizmit do të ketë një dëgjesë në Kuvend me grupin kuvendor “Miqtë e Fëmijëve” për problemet e fëmijëve me autizëm për dy kërkesa kryesore: transportin urban e ndërurban dhe njohjen e kujdestarisë si vite pune.

“Janë dy kërkesa që ne si prindër i kemi të rëndësishme për të pasur një jetë më të lehtë si ne ashtu edhe fëmijët tanë”, thotë Arjona L.

Rreth 75 milionë njerëz kanë çrregullime të spektrit të autizmit, që është 1% e popullsisë së botës ku 1 në 100 fëmijë diagnostikohet me çrregullime të spektrit autik që nga viti 2021. Ndërkohë, prevalenca e autizmit është rritur 178% që nga viti 2000.

Vendi me shkallën më të lartë të autizmit të diagnostikuar në botë është Katari dhe vendi me shkallën më të ulët është Franca.

Sipas CDC, më shumë fëmijë se kurrë më parë po diagnostikohen dhe po marrin terapi dhe trajtim për autizmin.

Çfarë e shkakton autizmin?

Shumë studime janë përpjekur t’i japin përgjigje kësaj pyetjeje. Në pak raste autizmi është shenjë e një problemi gjenetik, i tillë si X i Brishtë, megjithatë në shumë raste nuk njihen shkaqet. Aktualisht, autizmi mendohet se shkaktohet nga një kombinim i gjeneve dhe faktorëve mjedisorë. Ende nuk ka të dhëna që autizmi shkaktohet nga diçka që prindërit kanë apo nuk kanë bërë para apo gjatë shtatzënisë, apo ndërsa kujdesen për fëmijën e tyre.

Si diagnostikohet autizimi?

Diagnoza e autizmit bazohet në sjelljet e fëmijës. Aktualisht, nuk ka ndonjë test mjekësor (për shembull analizë gjaku, rreze x etj.) që do të ndihmonte në diagnostikimin e autizmit. Mjekët mund të këshillojnë teste gjenetike për të gjetur një shkak gjenetik, si dhe mund të rekomandojnë teste apo studime të tjera që ndihmojnë në përcaktimin e kushteve të tjera shëndetësore të cilat mund të jenë të pranishme.

Kur profesionistët konstatojnë se fëmija ka autizëm apo diagnoza të lidhura me të, problemet vlerësohen në tri hapësira: ndërveprimi social, komunikimi dhe sjelljet/interesat jo të zakonshme.

Dita Botërore e Autizmit është vendosur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, me rezolutën “62/139” në vitin 2007, më tepër si një përpjekje për t’i dhënë fund diskriminimit ndaj personave me autizëm. Kjo ditë është vendosur në 2 Prill dhe është përfshirë në Agjendën e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara, e cila premton që askush të mos mbetet pas.

Ndërsa kjo mund të jetë pjesërisht për shkak të rritjes së ndërgjegjësimit rreth gjendjes, më shumë raste të autizmit mund t’i atribuohen faktorëve si ndotja e ajrit, pesha e ulët në lindje dhe stresi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë