Libra

Primo Shllaku: Letërsinë shqipe e kanë dëmtuar miqësitë dhe tarafet

Nga Gazeta Si – A e ka letërsia fuqinë të ndryshojë shoqërinë? Shkrimtari Primo Shllaku thotë në podkastin e Gazetasi.al “T’pa thana” se shkrimtari ka dy armë, fjalën dhe vetëdijen e tij.

“Këto të dyja mund të punojnë bashkë dhe veç e veç. Nëse më pyet nëse letërsia mund të ndryshojë botën, unë them po por ndryshimi është minimal. Letërsia ka trondit edhe regjime por në Shqipëri nuk po bëhet mjaftueshëm”, thotë Shllaku, duke shtuar se shkrimtarët tek ne janë kthyer në njerëz ‘të rehatit’ dhe mendojnë se vetëm ajo që shkruajnë është e mjaftueshme.

“Unë mendoj se nuk është. Ku të shohim heshtje, duhet ta thyejmë heshtjen, dhe ku të shohim heshtje të thyer, duhet të shohim pse është thyer”.

Shllaku e ka botuar librin e tij të parë në moshën biologjike 47 vjeç, po kur pyetet për moshën, ai përgjigjet se ndjehet 30 vjeç. Aq vite sa mbushen prej botimit të tij të parë. Mosha e tij është mosha e librave të tij.

“Nuk kam rini botuese por kam dorëshkrime që unë i quaj stërvitje. Kur botova për herë të parë 47 vjeç kisha frikë se si do dukem dhe në fakt, jetën time artistike e quaj nga viti 1994 dhe këtej”, thotë Shllaku.

Edhe pse prej vitesh është në shoqëri me libra, Shllaku sqaron se liria e tij në të shprehur i ka bërë armiq, çka dhe ka ndikuar në çmimet që nuk i ka fituar.

“Me ato që kam shpreh vazhdimisht, kam krijuar armiq dhe kjo nuk më ka tremb sepse unë nuk jam nis për këtë, ka qenë thjesht pasojë. Kanë qenë dy zgjedhje, ose të mbaj miq dhe të vras brenda vetes mendimet ose të flas dhe të ‘plagos’ ndokënd.

Shllaku thotë se letërsinë e kanë dëmtuar vëllazëritë, njerëzit që e kanë kaparuar letërsinë, çmimet, juritë dhe çdo vlerësim ia japin njëri-tjetrit.

“Unë e di se tek veprat e mia i vret gegnishtja. Ato nuk duan që të shkruhet më në gegërisht”.

A mendon se kritika e ka lënë në hije?

“Unë mendoj se përgjithësisht duhet të biem dakord se nuk ka asnjë zhvillim pa kritikë. Kritika është në simbiozë me krijimin. Atje ku ka kritikë ka rritje të cilësisë. Është e shëndetshme kur kritikët dhe shkrimtarët sfidojnë njëri-tjetrin. Kritika ka një rol të rëndësishëm sepse krijon autoritet dhe i jep mundësi disa personave të japin mendime ultimative. Problemi është se Tirana nuk është bërë ende kryeqyteti i gjithë shqiptarëve, vazhdon me paragjykimet për veriorët”, thotë Shllaku, çka rrjedhimisht sjell edhe të qenit “në hije”, ndryshe nga çfarë ndodh në Kosovë, ku Shllaku është vlerësuar me disa çmime. Kjo, sipas tij, ndodh sepse Kosova është më mendjehapur.

“Unë shkruaj për njeriun, për të ndërtuar ura midis vetëdijeve njerëzore me shpresën se 1 ditë në ato ura do ecin edhe problemet që na lidhin dhe mund të krijojmë edhe superfamiljen që është shoqëria sepse nuk e kemi. Ndjenjën e empatisë nuk e kemi. Ne lodhemi deri tek familja, më tej jemi shumë egoista”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë