Nga Gazeta Si- Është prezantuar Korniza e Re Kurrikulare e Arsimit Parauniversitar, një dokument që synon modernizimin e sistemit arsimor dhe harmonizimin me standardet bashkëkohore.
Korniza kurrikulare reflekton nevojat aktuale për përcaktimin e linjave që do të kenë nesër tekstet mësimore, kurrikula bërthamë, programet lëndore dhe materialet ndihmëse, duke përfshirë edhe platformat digjitale.
Ky proces u bazua në një analizë të thelluar të kurrikulës ekzistuese, e cila filloi të zbatohej për herë të parë në vitin 2014-2015, kur u përfshimë për herë të parë programe lëndore të Cambridge, Pearson dhe Oxford-it. një dekade, kjo kurrikul do të ndryshohet.
“Do e ndryshojmë duke vlerësuar standardet europiane dhe kërkesat e reja, ku kemi konsideruar të domosdoshme përmirësimin e Kornizës Kurrikulare, për të reflektuar kompetenca të reja dhe për të adresuar ndryshimet që kërkon sistemi arsimor”, tha ministrja e arsimit dhe sportit Ogerta Manastirliu.
Korniza e Re Kurrikulare ka fokusin tek kompetencat digjitale të nxënësve, integrimi i teknologjisë në mësimdhënie, edukimin mediatik, si dhe në edukimin kulturor dhe identitetin kombëtar.
“Fokusi i Kornizës së Re Kurrikulare do të jetë tek kompetencat digjitale dhe integrimi i teknologjisë, duke filluar nga klasa e parë dhe duke u reflektuar deri në arsimin e mesëm të lartë. Në këtë kuadër, kurrikula do të përfshijë lëndët STEM (që përfshijnë shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë) dhe do të përforcojë aftësitë e nxënësve në shkenca dhe matematikë. Ne do të pilotojmë klasa STEM duke u dhënë nxënësve më shumë kompetenca lidhur me shkencat dhe me mundësinë që ata më pas të integrohen në ciklet e arsimit të lartë, me kompetenca më të plota. Një element shumë i rëndësishëm i Kornizës së Re Kurrikulare lidhet me edukimin kulturor dhe identitetin kombëtar. Fokusi do të jetë tek gjuha shqipe, duke rishikuar programet lëndore nga klasa e parë deri në arsimin e mesëm të lartë. Do të synojmë mbrojtjen dhe zhvillimin e gjuhës sonë, duke e kombinuar atë me teknologjinë dhe metodat bashkëkohore të mësimdhënies.”, tha Manastirliu.
Kjo Kornizë e Re do të pasohet me ngritjen e grupeve të punës për çdo kurrikulë bërthamë, program lëndor dhe material ndihmës. Synimi është që deri në 6-mujorin e parë të vitit 2025 të fillojë hartimi i teksteve sipas planit të miratuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.