Prokuroria ka kërkuar sot 1 vit e 6 muaj burg për ish-deputetin e PD-së, Ervin Salianji që të konvertuara shkojnë në 3 muaj shërbim prove, në lidhje me audio-përgjimin për çështjen “Babale”.
Ndërkohë, Salianji në një prononcim për mediat menjëherë pas seancës gjyqësore u shpreh se nuk i druhet askujt, pasi sipas tij bëhet fjalë për një vendim politik.
“Nuk i druhem fare e kam thënë në fillim. Janë sulme tërësisht politike, nuk pati fakt prove të re. Pati vetëm një devijim nga dënimi për trafik droge i vëllait të ish ministrit të brendshëm, drejt një gjasme pretence ku Prokuroria në këtë rast bëhet pjesë me llumin, po pa diskutim që asnjë intrigë, pabesi tradhti nuk ia del që të mposhtë të drejtën dhe të vërtetën.
Prokuroria lexoi fiks atë që tha kryeministri e avokati i Xhafajt. Edhe sot pala e Xhafajt kishte të njëjtin qëndrim. Prokuroria politike nuk mori asnjë provë nga ato që kemi dorëzuar. Sot nuk u kërkua dënimi im, ai është kërkuar që kur kam bërë publike çështjen. Askush nuk do ia dalë as të më mposhtë as të më frikësojë apo të izolojë”, u shpreh Salianji.
Prokurori i çështjes, Kol Hysenaj ka kërkuar dënimin me 3 vite e 6 muaj burg për Albert Veliun, i cili akuzohet për “Kallëzim i rremë” dhe “Kalim të paligjshëm të kufirit”, ndërsa për Fredi Alizotin, 3 vite burg.
Ndërkohë për gazetarin Jetmir Olldashin 1 vit burg, dënim ky që të zëvendësohet me 200 orë pune publike të detyruara.
Sipas organit të akuzës, regjistrimet e publikuara, ku flitej për pazare droge, nuk janë origjinale. “Nuk janë origjinale regjistrimet e publikuara. Në bisedën e 2 dëgjohet një zë i një burri të dytë. Kampioni i zërit të emërtuar ‘Agroni’ është i një cilësie të dobët. Ky zë nuk është i Agron Xhafajt. Salianji ka bërë kontaktin mes Albert Veliut dhe Jetmir Olldashit”, mësohet të jetë shprehur prokurori i çështjes.
Të pranishëm në shenjë solidariteti kanë qenë dhe anëtarët e ish-grupit parlamentar të PD-së, të cilët kanë marrë pjesë në gjyqin e ngritur kundër Ervin Salianjit, pas denoncimit që ai bëri se vëllai i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, vazhdonte të ishte i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës.
Opozita pretendonte se ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj kishte mbrojtur vëllanë e tij, Agron Xhafaj, të dënuar me 7 vjet e 4 muaj burg në Itali.
Pasi u publikua audio-përgjimi, Agron Xhafaj u dorëzua tek autoritetet italiane dhe është në qeli, ndërsa Prokuroria nisi paralelisht një hetim.
Akuza zyrtare e Prokurorisë është “kallëzim i rremë në bashkëpunim” dhe parashikon burgimin deri në 5 vjet heqje lirie për ish-deputetin Ervin Salianji, i akuzuar si organizator, së bashku me gazetarin Jetmir Olldashi dhe të pandehurit Veliu dhe Alizoti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.