Bota

‘Presioni i Perëndimit s’po kryen punë’ / Putin mbledh aleatët në samitin e BRICS

Nga Gazeta ‘Si’-Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin është duke organizuar një samit për të dëshmuar që presioni i Perëndimit dhe sanksionet e vëna ndaj tij e Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës, nuk po kryejnë punë.

Në qytetin e Kazanit këtë javë, Putini do t’i presë më shumë se 20 liderë shtetesh në samitin e BRICS-it për ekonomitë në zhvillim.

Në mes të liderëve të ftuar janë Xi Jinping i Kinës, kryeministri i Indisë Narenda Modi dhe presidenti i Iranit Masoud Pezeshkian, shkruan BBC.

Kremlini e ka cilësuar ngjarjen si ndër më të mëdhatë në politikën e jashtme të Rusisë.

“Mesazhi i qartë është se përpjekjet për ta izoluar Rusinë kanë dështuar”, mendon Chris Weafer, themelues i kompanisë konsulente “Macro-Advisory”. “Është pjesë e rëndësishme e mesazhit nga Kremlini që Rusia po u reziston sanksioneve. E dimë se ka të çara të theksuara nën sipërfaqe. Por në nivel gjeopolitik, Rusia i ka këta miq dhe të gjithë do të jenë partnerë të Rusisë”.

Çfarë është BRICS dhe pse ka rëndësi?

Më 2006, Brazili, Rusia, India dhe Kina e ka krijuar grupin BRIC, i cili është zgjeruar në BRICS më 2010, me pjesëmarrjen e Afrikës së Jugut.

Grupi synon t’i bashkojë shtetet më të rëndësishme në zhvillim, si alternativë ndaj forcës ekonomike dhe politike të rajoneve të pasura, siç është Amerika e Veriut apo edhe Evropa Perëndimore.

Anëtarët e BRICS-it kanë përmendur nga fillimi që shtetet perëndimore janë në krye të organizatave të rëndësishme globale, sikurse Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMI) dhe Banka Botërore, e cila u jep qeveria hua, prandaj ekziston nevoja e një kundërpeshe, për t’iu dhënë më shumë zë ekonomive tjera.

Më 2014, BRICS e ka themeluar Bankën e Re Zhvillimore, për të dhënë hua me qëllim të përmirësimit të infrastrukturës së një vendi.

Në janar të këtij viti, Egjipti, Etiopia, Irani, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, janë ftuar për t’iu bashkuar nismës si vende anëtare.

Një ministër saudit ka thënë ndërkohë që Riadi nuk është anëtarësuar zyrtarisht në grup.

Edhe Argjentina është ftuar për t’iu bashkuar grupit, mirëpo presidenti, Javier Milei është tërhequr në dhjetor të vitit 2023, pak pasi është ngjitur në pushtet.

Megjithatë, grupi i ri, pas zgjerimit, ka një popullsi prej rreth 3.5 miliardë banorëve – 45 për qind e popullsisë botërore – dhe ekonomitë e tyre kanë vlerë prej 28.5 trilionë dollarëve në total, apo rreth 28 për qind e ekonomisë botërore.

Në rast të anëtarësimit të Arabisë Saudite, vendet anëtare të BRICS-it do të ishin zotëruese të 44 për qind të naftës së papërpunuar të të gjithë globit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë