Politike

Presidentin nuk e dëgjon njeri!

Mentor Kasa - Dy vite më parë, kur u betua si President i Republikës pasi socialistët dhe LSI bashkuan votat në Parlament për ta zgjedhur si pasues të Bujar Nishanit në mungesë të një emri konsensual me opozitën, gjithkush mendoi se Ilir Meta po hynte në një zyrë të qetë dhe të barazlarguar nga sherret e përditshme të klasës politike, ku shpesh ka qenë edhe vetë protagonist.

Në korrik të 2017 ai shkeli për herë të parë në Presidencë dhe po në intervistën e parë që dha në atë kohë sqaroi se nuk e interpretonte ngjitjen e shkallëve të godinës si hapa që po e çonin drejt pensionit politik, por as që po e çonin në një post honorifik. Meta hoqi pas marrjes së detyrës kostumin sportiv të politikanit energjik, që e mbajti veshur gjatë fushatës zgjedhore të atij viti dhe veshi menjëherë kostumin zyrtar të Presidentit.

Nuk ishin të paktë ata që i lexuan hapat e hedhura drejt Presidencës nga Ilir Meta si triumfi i lëvizjes taktike të Edi Ramës, që “po hiqte qafe” mikun armik politik dhe po shkatërronte LSI-në. Nuk ishin të paktë as ata që me hyrjen në Presidencë menduan që Ilir Meta do të shndërrohej në një “noter” të Kuvendit, nisur nga kompetencat e pakta që Kushtetuta i njeh këtij posti.

Dy vite rrodhën relativisht të qeta në raportet mes Metës dhe mazhorancës, pavarësisht përplasjeve me emrat për ministra apo zyrtarë të tjerë të institucioneve kushtetuese, ku presidenti është protagonist drejtpërdrejtë, ose tërthorazi si verifikues. Për të kuptuar fuqinë e vërtetë të kompetencave të Presidentit nevojitej një krizë më e thellë sesa përplasjet e rëndomta mes mazhorancës dhe opozitës, ku Ilir Meta si President të ndërhynte si ndërmjetësues me objektiv zgjidhjen e saj.

Kriza mbërriti në shkurt, kur PD, LSI dhe aleatët e tyre dogjën në grup mandatet e deputetit. Si kryetar Kuvendi, Ilir Meta kishte marrë lëvdatat e Edi Ramës për përpjekjet dhe ndërmjetësimin me Partinë Demokratike për miratimin me konsensus për reformën në drejtësi, ndaj Kryeministri shprehej i bindur pas propozimit për ta ngjitur në Presidencë se ai ishte emri i duhur për këtë detyrë.

Por, si President, Rama e akuzoi para nisjes së fushatës për 30 qershorin se nuk kishte bërë asnjë përpjekje, asnjë ndërmjetësim për ta ulur atë në të njëjtën tavolinë me Lulzim Bashën. Meta u qëndroi larg replikave të drejtpërdrejta me Kryeministrin, ndërsa u justifikua se e kishte të pamundur që të ulte në të njëjtën tavolinë dy palët kokëforta në qëndrimet e tyre.

Më 8 qershor, në ditën që opozita organizonte protestën e radhës Ilir Meta vendos të bëhet vetë protagonist duke folur me dekret. Ai njoftoi nxjerrjen e një dekreti që shfuqizonte dekretin e shpalljes së 30 qershorit si datë zgjedhjesh. Vendimin e argumentoi me “informacione për trazira dhe dhunë në protestën e opozitës”. Dekreti u mirëprit nga Lulzim Basha, që e cilësoi si fitore të qëndresës disamujore opozitare, por nga Edi Rama ai u vlerësua nul dhe në shkelje të Kushtetutës.

Me këtë akt barazlargësia e Ilir Metës mes palëve u zhduk. Presidenti shpeshtoi konferencat për shtyp dhe mesazhet e koduara në rrjetet sociale herë me foto, e herë me video. Në të gjitha mesazhet e përcjella kërkonte gjetjen e një marrëveshjeje për të dalë nga kriza, të cilën u mundua ta zgjidhë përmes anulimit të 30 qershorit, por që pati efekt të kundërt.

Nga ky dekret mori shkas mazhoranca që të nisë në Kuvend procedurat e shkarkimit të tij. Presidenti u përfshi zyrtarisht në vorbullën e përplasjes mazhorancë-opozitë, që në mungesë të Gjykatës Kushtetuese i dha të tjera dimensione edhe më të rrezikshme krizës, që nga politike tani ishte shndërruar edhe juridike.

Meta shpeshtoi daljet reale dhe virtuale, që kulmin e tyre e patën pas 30 qershori me akuzat ndaj George Soros si orkestrues të ngritjes në Shqipëri të një “shteti të nëndheshëm” me agjendë krejt tjetër nga ajo e qytetarëve shqiptarë. Në atë konferencë, Meta foli për interesa antikombëtare që fshiheshin pas kësaj strukture dhe se ai do t’u qëndronte përballë në mbrojtje të interesave kombëtare, duke sjellë edhe shembuj nga historia, si Mic Sokoli, Avni Rustemi e Vojo Kushi.

Nga mazhoranca nuk u komentuan këto deklarata, ndërkohë që ditët që pasuan Meta shënjestroi reformën në drejtësi duke akuzuar Kryeministrin Edi Rama për devijim dhe kapje të sistemit të drejtësisë përmes presionit dhe kontrollit të organeve të vettingut.

Pas serisë së akuzave për atë që e quante “Ramaformë”, Presidenti nisi të përcjellë gjithnjë e më shumë në publik thirrjet për marrëveshje politike për hir të integrimit. 13 tetori, që për mazhorancën është një e diel normale vjeshte, për Metën është mundësia e fundit që të mos humbasë sërish hapjen e negociatave me Bashkimin Europian.

Paralelisht me përsëritjen e thirrjes për marrëveshje dhe të propozimit që më 13 tetor të mbahen zgjedhje edhe parlamentare, edhe presidenciale, duke shprehur gatishmërinë për dorëheqje, në rrjetet sociale Presidenti postonte disa mesazhe të koduara.

I tillë ishte takimi me Ramush Haradinajn fill pasi ky i fundit njoftoi dorëheqjen për shkak të thirrjes në Hagë për akuzat e ricikluara për krime lufte. E po ashtu është edhe mesazhi me të cilin shoqëron foton e mëposhtme të postuar në Facebook më 28 korrik me shënimin: “Përshëndetje miq! Domatet duan ende kohë për t'u pjekur. Do durojmë edhe ca!”.

Ndërkohë, 1 gushtin e nisi më përsëritjen e propozimit për daljen nga kriza, ndërsa njoftonte se pushimet nuk do t’i kishte as afatgjata dhe as në distancë të largët nga Tirana, për të qenë në gatishmëri për zgjidhjen e krizës.

Si pjesë e turit të pushimeve afatshkurtra në agjendën e Presidentit ishte edhe ngjitja në Malin e Korabit, ku sfidoi sfidoi Edi Ramën që t’i bashkohej. Ftesa nuk mori përgjigje. E vetmja përgjigje që mori ishte vënia në lëvizje e partive opozitare që në respekt të dekretit të tij për zgjedhje më 13 tetor, të kërkonin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nisjen e procedurave për mbajtjen e tyre. Kërkesa mban vulën e LSI-së, PR-së dhe PAA-së, por jo të PD-së.

Me këtë lajm, Presidenti Ilir Meta do të niset drejt Korabit, për t’iu shmangur temperaturave të larta klimatikisht dhe politikisht të Tiranës, me shpresën që kur të zbresë prej andej të gjejë një klimë më të freskët, sidomos politike dhe veshë që ta dëgjojnë, sepse pavarësisht si janë përcjellë mesazhet e Presidentit, qoftë me foto, postime në rrjetet sociale, konferenca shtypi, apo në formë letrash zyrtare publike e jopublike drejtuar mazhorancës e opozitës, e përbashkëta e tyre është se që të gjitha kanë rënë në veshin e shurdhër, jo vetëm të Qeverisë, po edhe të Partisë Demokratike. Madje edhe ndërkombëtarët duket se janë shprespaktë nga qendrimet publike të Presidentit që nuk i kanë afruar aspak palët në konflikt.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë