Presidenti kinez Xi Jinping ka paralajmëruar sot se vendi i tij rrezikon të përballet me një valë të dytë epidemie, ndërkohë që pandemia vazhdon të përhapet në të gjithë globin.
Në një takim të trupit të lartë vendimmarrës të Partisë Komuniste Kineze të mërkurën, ai tha se faktorët e paqëndrueshmërisë dhe pasigurisë po rriteshin sërish në Kinë, për shkak të krizës ekonomike globale.
Përhapja e koronavirusit në Kinë duket se është nën kontroll, pasi të mërkurën, qyteti nga ku u shfaq për herë të parë shpërthimi, Wuhan, i dha fund zyrtarisht bllokimit.
“Por vështirësi dhe sfida të reja janë shfaqur për rinisjen e punës në Kinë dhe zhvillimin ekonomik dhe shoqëror,” deklaroi Xi Jinping .
Presidenti u bëri thirrje autoriteteve kineze që të vëzhgojnë me kujdes rastet e ardhura nga jashtë dhe të parandalojnë ri-përhapjen e epidemisë në Kinë.
Paralajmërimet e presidentit kinez vijnë pasi një valë e dytë infeksionesh misterioze në Wuhan po vë në pikëpyetje saktësinë e metodave diagnostikuese të COVID-19, ndërkohë që Kina po përgatitet të dalë nga karantina.
Nga 18 deri më 22 marsi, qyteti kinez nuk raportoi asnjë rast të ri të virusit përmes transmetimit nga një person tek një tjetër. Kjo u pa si një pikë kthese në përpjekjet për të frenuar pandeminë, e cila ka prekur më shumë se 80,000 njerëz në Kinë. Në Wuhan epidemia ishte veçanërisht e ashpër, ku u shënuan më shumë se gjysma e të gjitha rasteve të konfirmuara në Kinë.
Por disa banorë të Wuhanit që kishin testuar pozitiv më herët dhe më pas ishin shëruar, po testojnë pozitive për herë të dytë. Bazuar në të dhënat e karantinave në qytet, të cilat strehojnë pacientë për vëzhgim të mëtejshëm pas daljes nga spitalet, 10% e pacientëve që “shërohen”, kanë testuar përsëri pozitiv.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar Kinën se ka fshehur shtrirjen reale të epidemisë, duke deklaruar se partia komuniste nuk kishte raportuar asnjë prej rasteve asimptomatike. Një raport i inteligjencës amerikane arrinte në përfundimin se Pekini kishte raportuar shumë më pak raste se numrin e përgjithshëm i të infektuarve, por edhe të viktimave. Kjo ka ngritur dyshimet se epidemia vazhdon të përhapet, në Kinë, edhe pse me ritme të ulëta.
Por edhe pse qeveria thotë se ka fituar luftën kundër pandemisë, mediat shkruajnë se spitalet vazhdojnë të përballen me dhjetëra raste të reja çdo ditë. “Caixin”, një media e pavarur kineze, raportoi në fillim të kësaj jave se spitalet në Wuhan po vazhdonin të përballeshin me raste të reja të bartësve të virusit që nuk shfaqnin simptoma. Një zyrtar shëndetësor tha se autoritetet po zbulon rreth një dyzinë me raste të tilla në ditë.
Por a mund të themi se kemi të bëjmë me një valë të dytë të epidemisë? Virologët mendojnë se nuk ka gjasa që një pacient COVID-19 të mund të ri-infektohet kaq shpejt pas shërimit, por thonë se duhet pasur kujdes. Kina nuk përfshin në shifrat zyrtare ata që ri-infektohen dhe as ata që nuk shfaqin simptoma.
Në shkurt, Uang Chen, drejtor në Akademinë Kineze të Shkencave Mjekësore shtetërore, vlerësoi se testet e acidit nukleik të përdorur në Kinë në identifikimin e rasteve ishin të sakta vetëm 30% -50% të kohës. Kjo do të thotë se Kina nuk mund t’i mbyllë derën plotësisht epidemisë pa zbuluar të gjitha rastet dhe t’i izolojë në kohë, përpara se të përhapin virusin, duke çuar në një valë të dytë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.