Lajme

Mbyllet votimi, shqiptarët nuk dolën për Presidentin e Maqedonisë së Veriut!

Ashtu si ndryshimi i emrit, edhe presidenti i Maqedonisë së Veriut duket se ka qenë në dorë të shqiptarëve. Pasi dolën pothuajse barazim në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, qeveria dhe opozita kanë bërë fushatë për të fituar votat e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, edhe pse shumica e tyre duket se kanë qëndruar në shtëpi.

Në orën 19:00, u mbyllën të gjitha qendrat e votimit në Republikën e Maqedonisë së Veriut në raundin e dytë të zgjedhjeve të gjashta presidenciale. Pas mbylljes së qendrave të votimit mund të votonin vetëm personat të cilët në atë moment gjendeshin në mjediset e qendrave të votimit.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka njoftuar se censusi është arritur dhe sot brenda mesnatës do të kemi presidentin e pestë të Maqedonisë së Veriut. Sipas KSHZ-së, deri në mbyllje të votimit, pjesëmarrja ka qenë 44.5 %, ndërsa për të arritur censusin nevojitej dalja e të paktën 40 për qind të votuesve.

Votuesit në vendin fqinj kanë zgjedhur midis dy kandidatëve të mbetur, Stevo Pendarovski dhe Gordana Siljanovska, njëri prej të cilëve do të jetë në krye të presidencës maqedonase për pesë vjet.

Sipas kreut të KSHZ-së, Oliver Derkovski, procesi zgjedhor ishte i rregullt dhe nuk kishte shkelje të theksuara që do të ndikonin në procesin e zgjedhjeve. Komunat ku pjesëmarrja është më e madhe kanë qenë dukshëm ato me popullsi maqedonase: Manastir, Vevçan, Gjevgjeli, Demir Hisar, Dojran, Kavadarc, Kriva Palanka.
Më pak pjesëmarrje të votuesve ka pasur në komunat me popullsi shqiptare: Studeniçan, Strugë, Zhelinë, Gostivar, Likovë, Haraçinë, Qendër Zhupë.

Pendarovski, i cili mori fitoi me një diferencë të vogël votash raundin e parë i ndjekur nga kandidtatja e opozitës, Gordana Siljanovska/ Pendarovski është zotuar të vazhdojë procesin e anëtarësimit në NATO dhe BE dhe të mbështesë politikat pro-perëndimore të qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Zoran Zaev.

Ndërkohë, Siljanovska, e cila mbështetet nga partia kryesore nacionaliste e opozitës VMRO DPMNE, e quan veten pro-perëndimore, por është kundër marrëveshjes së emrit me Greqinë. Ajo ka thënë se do ta respektojë marrëveshjen, por se konsideron jokushtetuese dhe poshtëruese. Siljanovska është zotuar se do zhbëjë dëmin ndaj identitetit kombëtar.

Siljanovska do të ishte presidentja e parë femër në vendin fqinj dhe është tepër kritike ndaj ndryshimit. Ajo e ka fokusuar fushatën e saj tek sundimi i dobët i ligjit dhe korrupsioni.

Gjatë gjysmës së dytë të fushatës, të dy kandidatët konkurruan për të bindur votuesit shqiptarë t’i mbështetnin.

Në raundin e parë, më 21 prill, Pendarovski fitoi 322.581 vota, ose 42.81 për qind, Siljaniovska fitoi 318.341 vota, ndërsa kandidati i tretë, Blerim Reka, i mbështetur nga dy partitë opozitare shqiptare, Besa dhe Aleanca për Shqiptarët u largua nga gara duke fituar 79.888 vota, ose 10.60 të tyre. Sidoqoftë, ai nuk ka mbështetur asnjë nga konkurrentët e tij në raundin e dytë, duke i lënë mbështetësit e tij të zgjedhin ata që preferojnë apo abstenojnë.

Stevo Pendrovski

Dy ditë përpara votimit, Lëvizja BESA dhe ASH konfirmuan se nuk do të bëjnë thirrje për të mbështetur asnjë nga kandidatët që janë në garë. Dy partitë opozitare shqiptare theksojnë se nuk do të bëjnë tregti me votat e shqiptarëve, të cilët në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale mbështetën Rekën.

“Nuk do të bëjmë thirrje për mbështetjen e asnjë prej kandidatëve në raundin e dytë por do të respektojmë vendimin individual të çdo votuesi për të shfrytëzuar të drejtën e votes”, tha Lëvizja Besa. 

Profesori Reka ka mbajtur një qëndrim mjaft neutral. Ai nuk ka favorizuar as Pendarovksin dhe Siljanovkën, duke mos i bërë ftesë elektoratit të tij të votojë për ndonjërin prej tyre. “E drejta e votës është e drejtë e shenjtë dhe nuk është e imja. Ajo është e drejtë që i takon qytetarëve dhe ata vetë vendosin se për kë votojnë. Unë nuk bëj tregti me votat e qytetarëve”, pat deklaruar profesori Reka.

Presidenca është një post kryesisht ceremonial, por votimi i së dielës është parë si një referendum për qeverinë e kryeministrit Zoran Zaev.

Pjesëmarrja e ulët do të kishte shkaktuar një krizë politike për kryeministrin Zoran Zaev. Sipas kryeministrit, vendi do të duhet të rifillonte procesin zgjedhor ose të bënte ndryshime kushtetuese, të tilla si lejimi i parlamentit për të zgjedhur presidentin. “Por edhe fitorja e Siljanovskas do të shkaktonte gjithashtu zgjedhje të parakohshme parlamentare”, tha Zaev.

Gordana Siljanovska

Petar Arovski, një analist në Shkup, tha se pjesëmarrja e ulët muajin e kaluar pasqyroi “pakënaqësinë me reformat e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe ekonominë e varfër”.

Më shumë se një e pesta e vendit është e papunë, ndërsa pagat mesatare nuk e kalojnë 400 euroshin në muaj.

Kandidati i Social Demokratëve në pushtet Stevo Pendarovski e ka bazuar të gjithë fushatën e tij tek integrimi europian.

“Votimi për Stevo Pendarovskin nënkupton votimin për një arsim europian, pagat europiane dhe një standard jetesë europian”, tha kryeministri Zaev.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë