Bota

Presidenti Biden firmos shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për zjarret në Kaliforni

Presidenti Joe Biden miratoi të mërkurën një deklaratë federale për gjendje emergjence për Kaliforninë, që do të autorizojë fonde dhe burime për të luftuar zjarret.

“Jemi të përgatitur të bëjmë gjithçka dhe për aq kohë sa duhet, për të kontrolluar këto zjarre dhe për të ndihmuar në rindërtimin dhe për t’u siguruar që të kthehemi në normalitet. Do të jetë një rrugë e gjatë”, tha Presidenti Biden. “Do të marrë kohë”.

Departamenti amerikan i Mbrojtjes tha të mërkurën se “do të punojë për të siguruar personel dhe aftësi shtesë zjarrfikëse” në Kaliforni për betejën e saj kundër zjarreve që kanë dalë jashtë kontrollit.

Shuma totale e dëmeve nga zjarret mund të shkojë midis 52 miliardë dhe 57 miliardë dollarë ose edhe më shumë, sipas një analize nga Qendra Globale e Motit e kompanisë “AccuWeather”.

Departamenti i Zjarrfikësve të Qarkut të Los Anxhelosit u përball me katër zjarre të rrezikshme për jetën, që kanë vrarë të paktën pesë persona, kanë djegur më shumë se 1’100 ndërtesa dhe kanë detyruar dhjetëra mijëra njerëz të evakuohen.

“Departamenti i Zjarrfikësve të Qarkut Los Anxhelos ishte përgatitur për një ose dy zjarre të mëdha pyjesh, por jo katër, veçanërisht duke patur parasysh këto erëra të qëndrueshme dhe lagështinë e ulët”, tha të mërkurën shefi i zjarrfikësve të qarkut Los Anxhelos, Anthony C. Marrone.

Ai tha se mbi 2000 hektarë janë djegur dhe zjarri po vazhdon të përhapet.

“Nuk kemi asnjë përqindje kontrolli”, tha zoti Marrone.

Zyrtarët kanë paralajmëruar banorët që t’i kushtojnë vëmendje urdhrave të evakuimit dhe të largohen kur të udhëzohen.

Dy mijë anëtarë të Gardës Kombëtare janë dislokuar për të ndihmuar zjarrfikësit vendas.

Në Palisadet e Paqësorit, zjarri kalonte nga një shtëpi në tjetrën, i shtyrë nga erërat e forta me fuqi uragani. Në të njëjtën zonë, zjarrfikësit thanë se uji pati shteruar.

“Patëm një kërkesë të jashtëzakonshme për sistemin tonë në Palisades”, tha të mërkurën Janisse Quiñones, drejtuese dhe inxhiniere kryesore në Departamentin e Ujit dhe Energjisë në Los Anxhelos. “E çuam sistemin deri në ekstrem”. Kërkesa për ujë ishte “katër herë mbi nivelin… për 15 orë rresht”, shtoi ajo.

Më vonë të mërkurën, aeroplanët mbështetës që ishin ndalur nga erërat e forta, u ngritën sërish në ajër, duke hedhur ujë dhe lëndë anti-zjarr.

Mbi 400,000 shtëpi dhe biznese janë pa energji në të gjithë Los Anxhelosin, sipas faqes në internet poweroutage.us.

Uashingtoni po mbështet përpjekjet për shuarjen e zjarrit të Kalifornisë me katër avionë të mëdhenj cisternë të Shërbimit Pyjor të Shteteve të Bashkuara dhe u njoftua se është nisur edhe një i pestë shtesë. Qeveria federale po ndihmon edhe me 10 helikopterë përpjekjet për shuarjen e zjarrit. Ndërkohë, dhjetëra zjarrfikëse të Shërbimit Pyjor u vendosën në gatishmëri për t’u dislokuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë