Nga Gazeta “SI”- Me moton “Presheva Flet”, për herë të parë Lugina e Preshevës do të jetë mikpritëse e një Panairi Libri. Aktiviteti do të zhvillohet më 21 dhe 22 qershor 2025, në ambientet e Shtëpisë së Kulturës në Preshevë, dhe shënon një moment të rëndësishëm për jetën kulturore të kësaj zone.
Në dy ditë të mbushura me aktivitete, Panairi do të sjellë në Preshevë emra të njohur të botës letrare dhe akademike nga Shqipëria, Kosova dhe Lugina, si dhe një program të pasur me promovime librash, tryeza të rrumbullakëta, lexime poetike, diskutime me adoleshentë, panele mbi teknologjinë dhe trashëgiminë kulturore, si dhe ekspozita tematike për fëmijë.
Ceremonia zyrtare e hapjes do të zhvillohet të shtunën në orën 11:00, e ndjekur menjëherë nga një tryezë diskutimi me temën “Leximi – akt i domosdoshëm drejt përndritjes?”, moderuar nga Hasan Hasani.
Më pas do të vijojnë promovimet e veprave të autorëve si Fatmir Gjestila, Ferid Selimi, Eva Qerimi, Majlinda Bregasi, Ferid Muhiq, Fatmir Toçi, Besnik Mustafaj, por edhe një prezantim rreth veprës “Inteligjenca Artificiale” nga H. Kissinger.

Pasdite do të mbahet një diskutim publik mbi ndikimin e teknologjisë në lexim, i ndjekur nga një aktivitet për fëmijë dhe ekspozita “Unë dhe Libri”. Mbrëmja mbyllet me ndarjen e çmimeve dhe mirënjohjeve për pjesëmarrësit e panairit.
Të dielën do të vijojë ritmi i ngjarjeve me lidhjen zyrtare të një memorandumi bashkëpunimi mes Bibliotekës së Preshevës dhe Institutit “Ali Hadri” të Prishtinës, si dhe një tryezë me temën “Ruajtja e identitetit përmes trashëgimisë kulturore?”.
Promovimet e veprave do të vazhdojnë me autorë si Liridon Mulaj, Marigona Fejzullahu, Kaltrina Berisha, Zija Zymeri, Idriz Sinani dhe Metush Sulejmani, për të kulmuar me diskutimin final rreth “Rol-it të librit në Luginë”, dhe një takim të veçantë me të rinjtë e zonës.
Panairi organizohet nën kujdesin e Kryetares së Komunës së Preshevës, znj. Ardita Sinani, drejtoreshës së Bibliotekës së qytetit, znj. Albina Idrizi, dhe me kontributin e çmuar të shtëpisë botuese ALBAS.
Ky organizim ka gjetur gjithashtu mbështetje të veçantë financiare dhe institucionale nga Ambasada e Shqipërisë në Beograd – një akt që tregon interesimin në rritje për kulturën shqipe në hapësirat ku ajo është ndjerë shpesh e përjashtuar.
Ky panair është shumë më tepër se një ekspozim librash: është një thirrje për përkatësi, një reflektim për identitetin dhe një hap i guximshëm drejt një kulture të përbashkët leximi. Në një rajon që shpesh lufton për të ruajtur zërin e vet, “Presheva flet” është më shumë se një moto , është një rikthim i fjalës si akt rezistence dhe shprese.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.