Filma

Prej shekujsh ka përcaktuar rrugëtimin e shqiptarëve në jetë, ‘Djepi’ tani vjen në një film të animuar

Nga Gazeta Si - Djepi zë një vend të veçantë në kulturën materiale shqiptare. Gjatë dekadave djepi është përdorur si shtrat i fëmijës, qoftë gjatë fjetjes apo pushimit dhe përdorimi i tij daton që nga kohërat e lashta e këtë e dëshmojnë edhe gjetjet e ndryshme arkeologjike.

Por, ky objekt specifik që na karakterizon prej shekujsh do të vijë i trajtuar në një film dhe në një zhanër pak të rrahur, si animacioni.

“Djepi” i animuar do të vijë nën regjinë e Valmir Tertinit, i cili pritet të përfundojë në fund të këtij viti dhe do të vijë për të gjitha moshat.

“Pasi po merreshim me ca gjëra të vogla animative, menduam se a mund t’ia dalim për një realizim filmik animativ. Sa më shumë që punonim, aq më shumë u bindëm që do ia dalim dhe ashtu ndodhi. 3D Blender të jep një mundësi kreative të jashtëzakonshme”, rrëfen regjisori Valmir Tertini për Gazetën "Si" fillesat e këtij projekti.

Deri në ditët e sotme djepi është ruajtur dhe trashëguar me një fanatizëm të madh edhe përkundër teknologjisë, e cila tenton të “kërcënojë” vlerat tradicionale.

Në film, Djepi do të vijë i trajtuar si një objekt, ku në pah është gjyshja, foshnja në të e shoqëruar me ninullat e zgjedhura nga të gjithë trojet shqipfolëse.

Objektet e ndodhura në një shtëpi fshati, të shoqëruara me ninulla tregojnë fuqizimin e një karakteri nëpër etapa.

Regjisori Valmir Tertini

Regjisori, i cili deri më tani ka realizuar filma dokumentarë, artistikë, për Djepin thotë se është një sfidë e bukur, pasi është hera e parë që po merret me animacionin.

“Do të vij ashtu siç e njohim në të vërtetë si jemi rritur. Trajtimi i djepit si objekt dhe bebi në të. Ninullat e trojeve shqiptare me mesazhe të fuqishme do të ilustrohen pikërisht në atë dhomë. Kujdesi i gjyshes për çdo gjë është falënderimi më i madh”, rrëfen më tej regjisori.

Ndonëse këtë temë ne e njohim mirë, ajo nuk është e trajtuar deri më tani, e ndërsa regjisori Valmir Tertini do ta sjellë të detajuar madje në një zhanër, i cili në vendin tonë nuk është shumë i zhvilluar.

“Në fakt ‘Djepi’ është ideuar para 4/5 vitesh. Në fillim doja ta realizoja atë si dokumentar, nuk gjetëm mbështetje dhe ngeli si ide, tani Djepi po vjen në zhanrin e animuar, me një mizanskenë fundamentale dhe në një qasje filmike animative. Çdo gjë duket reale, thjesht personazhet na kujtojnë animacionin”, shprehet regjisori, ndërsa shton se “shoh interesim institucional për filmin e animuar”.

Sipas tij djepi në shekuj duket sikur ka përcaktuar rrugëtimin tonë në jetë.

“Mesazhi është aq i thjeshtë dhe aq i madh. DJEPI është mënyra, e mirë apo e keqe, kjo është për t’u diskutuar, por kujdesi prindëror, ninullat me plot kuptim të bëjnë që të tregohet rrugëtimi që do të të gjej në jetë. Rritu me një teori, që do të të përplasë jeta në praktikë”, thotë ndër të tjera regjisori rreth filmit, i cili shton se filmi do të ketë target festivalet ndërkombëtare.

Pak kohë më parë regjisori Valmir Tertini u bë anëtar i Akademisë Evropiane të Filmit.

Regjisori Valmir Tertini njihet me filmat e tij me tema të guximshme si “Vulë” për punonjësen e pandërgjegjshme të ambasadës në Kosovë, i cili ka sjell 13 çmime ndërkombëtare, i shfaqur në më shumë se 60 festivale filmi. Pastaj filmi “Tradhti me letra” për martesat për dokumentacione, i cili ka sjell 11 çmime. Regjisori Valmir Tertini po realizon dhe dokumentarin e gjatë artistik për Bekim Fehmiun, i cili u xhirua në gjashtë shtete dhe pritet të publikohet këtë vit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë