Shendet

Prej 2023 nuk marrin ilaçin, jeta e pacientëve me leucemi në rrezik, shkak protokolli kontradiktor dhe burokracitë

Nga Gazeta Si - Pacientët me Leucemi Limfoide Kronike (LLC) kanë që prej shtatorit të 2023 që u është ndërprerë trajtimi në linjë të tretë me medikamentin e vetëm trajtues “Ibrutinib 140 mg”.

Kjo vjen si rezultat i një kufizimi të përcaktuar në protokollin e përdorimit të ilaçit, që prej një viti, institucionet (QSUT dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor) janë në një ‘debat’ kërkesash dhe burokracish me njëra-tjetrën.

Shërbimi i Hematologjisë në QSUNT prej vitit 2018 deri në shtator 2023, ka trajtuar pa afat me Ibrutinib, pacientët në linjën e tretë të mjekimit, referuar përcaktimit të bërë në këtë protokoll të përdorimit të ilaçit, specifikisht në paragrafin “Doza dhe mënyra e përdorimit”, ku është cilësuar: “Trajtimi duhet të vijojë deri kur sëmundja të përparojë ose kur nuk tolerohet më nga ana e pacientit”, pra pa afat. Por, në të njëjtin protokoll, është shkruar edhe se “Kohëzgjatja e mjekimit me Ibrutinib 140 mg” është nga 18 deri në 24 muaj”.

Në 2018, Shërbimi i Hematologjisë ka bërë një kërkesë në FSDKSH për të hequr kufizimin, k usi përgjigje ka marrë “Aktualisht ilaçi Ibrutinib përdoret për një periudhë të caktuar kohe 18-24 muaj”.

Nga Shërbimi i Hematologjisë është cituar se: “Në të gjitha protokollet ndërkombëtare dhe në atë që ne kemi kërkuar, nga momenti i përfshirjes së tij në listën e barnave të rimbursueshëm përdorimi i tij është pa kufizim në kohë deri në rezistencë, progresion të sëmundjes apo intolerancë të pacientit ndaj tij (Ibrutinib), kjo është parashikuar edhe në protokollin e miratuar nga QSUT.”

Ndërkohë, FSDKSH i është drejtuar shefit të Shërbimit të Hematologjisë se “Aktualisht bari Ibrutinib përdoret për një periudhë të caktuar kohe 18-24 muaj”. Referuar përgjigjes së FSDKSH, ku i është cilësuar se afati i përdorimit është 18-24 muaj, Shërbimi i Hematologjisë ka ndërprerë mjekimin e pacientëve të trajtuar deri në shtator 2023.

Në auditimin e KLSH, shkruhet se brenda tekstit të protokollit të përdorimit të barit dërguar nga Shërbimi i Hematologjisë, protokolluar në FSDKSH kemi dy qëndrime kontradiktore, ku njëri nuk vendos afat për përdorimin e Ibrutinib, në një linjë me protokollet e praktikës klinike dhe tjetri vendos afat në përdorim nga 18-24 muaj.

Në QSUT janë trajtuar me Ibrutinib 140 mg 62 pacientë, në linjë të tretë të mjekimit dhe mesatarisht 90 % e tyre janë në remision hematologjik. Problem tjetër është se pas kësaj linje mjekimi nuk ka bare të tjera të disponueshme në Shqipëri.

Duke u bazuar në studime , Ibrutinib sot përdoret në linjë të parë të mjekimit. Për momentin nuk ka studime as për në linjë të parë të mjekimit për mundësinë e ndërprerjes së mjekimit me Ibrutinib.

Shkresa e fundit e dërguar është në nëntor të 2023, ku Shërbimi i Hematologjisë, i është drejtuar përsëri FSDKSHnë lidhje me Ibrutinib, ku cilëson: “Në vazhdim të korrespondencës sonë në lidhje me barin Ibrutinib më lejoni t’ju informoj se aktualisht janë rreth 18 të sëmurë të cilëve ju kemi ndërprerë mjekimin më këtë bar, sepse kanë kaluar dy vite nga trajtimi. Më lejoni të risjell në vëmendjen tuaj se janë aktualisht rreth 62 të sëmurë të cilët mjekohen me Ibrutinib në linjë të tretë mjekimi, praktikisht për të gjithë këta të sëmurë do të kalojnë 2 vite. Duhet shtuar këtu dhe ata të cilat fillojnë mjekimin për herë të parë. Me gjithë koston e lartë të produktit për njësi, përdorimi i tij në linjë të parë dhe jo vetëm të mjekimit është me kosto-efektivitet të lartë, prandaj jeni të lutur të shikohet mundësia jo vetëm e zgjatjes së përdorimit të Ibrutinib në linjë të tretë mjekimi me mocionin “deri në progresion të sëmundjes ose në intolerancë”, por dhe të shtrihet si indikacion në linjë të parë të mjekimit të leucemisë limfoide kronike”, shkruhet në kërkesën e Shërbimit të Hematologjisë, e cila nuk ka marrë zgjidhje dhe pacientët vijojnë të mos marrin ilaçin e vetëm të miratuar në vend.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë