Komedia “Zoti i masakrës”, cilësuar si komedia më e mirë në dhjetë vitet e fundit vjen këtë mbrëmje, në kuadër të aktiviteteve për Pranverën e Frankofonisë.
Komedia me regji nga Kiço Londo shfaqet këtë mbrëmje në faqen e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.
Në një njoftim në rrjetet sociale, Teatri Eksperimental shprehet se është një vepër e autores Yasmin Reza mbi hipokrizinë borgjeze.
“Ora 19:00 livestreaming në faqen tonë do të mund të ndiqni ‘Zoti i masakrës’ cilësuar si një nga komeditë më të mira të dhjetë viteve të fundit. Një vepër e shkëlqyer e Yasmin Reza mbi temën e saj të parapëlqyer: hipokrizinë borgjeze. Me aktorët Erand Sojli, Alert Celoaliaj, Ermira Gjata, Ermira Hysaj”, thuhet në njoftimin e Teatrit.
Vepra vjen nga autorja franceze Yasmin Reza dhe është e përkthyer nga Nasi Lera dhe vjen me regji të Kiço Londos.
Cilësuar si një prej komedive më të mira të 10 viteve të fundit, “Zoti i masakrës” erdhi premierë në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” më 23 e 24 mars të vitit 2018.
Në qendër të kësaj vepre qëndron konflikti: Shfaqja hapet me dy çifte, të cilët takohen vazhdimisht për të rregulluar pasojat e një episodi të dhunshëm që plasi ndërmjet dy fëmijëve të tyre.
Prindërit e djalit dhunues vizitojnë prindërit e viktimës për të kërkuar falje e për të ndrequr gabimin, të paktën nga ana ekonomike. Gjatë vizitës, gjërat fillojnë me diplomaci, por gradualisht, mes tyre rritet tensioni.
Një prej temave më të preferuara të autores franceze Yasmin Reza është pikërisht hipokrizia borgjeze, të cilën ajo e ka shpalosur në komedinë “Zoti i Masakrës”.
Pranvera e Frankofonisë, një muaj dedikuar kulturës franceze, nisi më 4 mars me aktivitetin “Letërsia franceze dhe frankofone në shqip”. Pranvera e Frankofonisë merr një vëmendje të veçantë gjatë muajit mars në vendin tonë dhe këtë mbrëmje vjen online komedia e autores Yasmin Reza.
Pranvera frankofone është festa e të gjitha vendeve frankofone të Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë, ku Shqipëria është anëtare me të drejta të barabarta. Në këtë kuadër, ambasadat franceze në të gjithë botën dhe vendet frankofone organizojnë me partnerët e vendeve që janë anëtare të Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë aktivitete për kulturën dhe gjuhën franceze.
Deri në fund të marsit do të ketë aktivitete të ndryshme teatrale, kinematografike, letërsi apo ekspozita që mund të ndiqen online. Mes filmave është dhe filmi “The Van” me regji nga Erenik Beqiri më 25 mars, film franko-shqiptar me metrazh të shkurtër, i cili është futur në listën e nominimeve të çmimeve “Oscars” 2021 në kategorinë “Filmi më i mirë me metrazh të shkurtër”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



