Gazeta Si – Neritan Novi dhe Dhiogjen Muço, dy trajnerët e Butrintit, janë vënë në pranga sot nga policia, pasi kanë ushtruar dhunë fizike nda lojtarit të tyre Albi Selimaj. Ngjarja ka ndodhur një ditë më parë, ndërsa sot dy agresorët janë ndaluar.
Neritan Novi, ish-lojtar i Luftëtarit dhe disa skuadrave të tjera, drejton aktualisht Butrintin në Kategorinë e Dytë. Ai, bashkë me ndihmësin Muço, akuzohen për veprën penale “Goditja e sportistit, trajnerit, arbitrit ose ndërmjetësit sportiv”, kryer në bashkëpunim.

‘Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë, pas marrjes së njoftimit se një futbollist ishte goditur me grushte, gjatë një ndeshjeje, menjëherë kanë nisur punën për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi A.S., 21 vjeç (futbollist) ishte goditur me grushte gjatë një ndeshjeje futbolli nga 2 trajnerët e ekipit të futbollit në të cilin ai ishte pjesë. Aktualisht 21-vjeçari ndodhet në spitalin e Sarandës, në kujdesin e mjekëve.
Në përfundim të veprimeve për këtë rast u bë ndalimi i shtetasve N.N., 52 vjeç (trajner i parë) dhe Dh.M., 45 vjeç (trajner altletik), për veprën penale “Goditja e sportistit, trajnerit, arbitrit ose ndërmjetësit sportiv”, kryer në bashkëpunim”, – shkruhet në njoftimin e policisë.
Ngjarja e shëmtuar ndodhi gjatë një miqësoreje mes Butrintit dhe Memaliajt, ndërsa trajneri Novi më parë kishte mohuar dhunën, madje pretendonte se ishte ai viktima.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




