Nga Gazeta ‘SI’- Autoriteti i Konkurrencës i ka kërkuar Bankës së Shqipërisë që të marra masa për tarifimin e klientëve që përdorin bankomatet, me dyshimet se ka praktika antiligjore.
Pas një monitorimi, Konkurrenca gjeti se ka mungesë transparenca mbi komisionet e shërbimeve ATM dhe mungesë harmonizimi.
Konkurrenca i kërkon BSH që të kontrollojë metodologjinë e përllogaritjes së komisioneve për tërheqje në bankomate, përfshirë komisionet për kartëmbajtësit e huaj dhe aplikimin e ‘mark-up’-it në shërbimin e këmbimit dinamik të valutës.
“Nga vlerësimi i të dhënave rezulton se nuk janë konstatuar praktika të kundraligjshme që cenojnë konkurrencën, por është evidentuar një nivel i ulët transparence mbi tarifat; mungesë e harmonizimit për tarifat e aplikuara ndaj kartëmbajtësve të huaj, dhe problematika lidhur me përdorimin e rrjeteve të nënkontraktuara të bankomateve,” thuhet në vendimin e AK.
Komisioni i Konkurrencës i ka rekomanduar Bankës së Shqipërisë që të kërkojë raportim periodik dhe publikim të komisioneve në një format të unifikuar, lehtësisht të aksesueshëm nga publiku, si dhe të shqyrtojë nevojën për ndërhyrje rregullatore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.